Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë të hënën se vaksinat kundër koronavirusit do të arrijnë në Kosovë gjatë këtij muaji.
Sipas tij, procesi i përgatitjes për ardhje të vaksinave ka përfunduar, që nënkupton planin e imunizimit dhe sigurimin e zinxhirit të ftohjes.
“Tash jemi në pritje të ardhjes së vaksinave. Gjatë muajit shkurt, vaksina anti-COVID do të jetë në Kosovë. Përgatitjet janë më intensve në qendrat e mjekësisë familjare”, ka thënë Zemaj, pa përmendur ndonjë datë të saktë se kur mund të ndodhë një gjë e tillë.
Ai ka paralajmëruar edhe nisjen e fushatave vetëdijësuese, sepse siç ka thënë Zemaj ky proces ka tendencë të përballet me teori të konspiracionit në Kosovë, si edhe në shumë vende tjera të botës.
Zemaj ka përmendur se problemet me sigurim të vaksinës janë evidente në gjithë Evropën, mirëpo ka shpresuar se kompanitë me të cilat ka negociuar Kosova, do ta mbajnë premtimin.
Ministria në detyrë e Shëndetësisë pati njoftuar se ka marrë konfirmim nga kompania amerikane, Pfizer për sigurimin e 535,000 vaksinave kundër koronavirusit.
Megjithatë, kompania amerikane, Pfizer nuk e ka konfirmuar marrëveshjen me Qeverinë në detyrë të Kosovës.
Zyrtarët e saj kanë thënë vetëm se janë në diskutime për këtë çështje dhe se negociatat janë konfidenciale./ REL