Drejtori i Përgjithshëm i Sigurisë së Libanit, Gjeneral Major Abbas

Politikë

Ministri pret në Tiranë gjeneralin libanez: Do vijojmë operacionet për riatdhesimin e shqiptarëve nga kampet e ISIS

7 Tetor 2021, 20:51| Përditesimi: 7 Tetor 2021, 21:00

  • Share

TIRANË- Drejtori i Përgjithshëm i Sigurisë së Libanit, Gjeneral Major Abbas Ibrahim ndodhet në një vizitë zyrtare në Tiranë, ku ka zhvilluar një takim me ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi.

Ministri bën me dije se iu ka shprehur mirënjohjen gjeneralit libanez për ndihmën që kanë dhënë për riatdhesimin e shqiptarëve nga kampet në Siri, teksa thekson se operacionet do të vazhdojnë.

"Në takim ishte i pranishëm edhe Konsulli i Përgjithshëm i Shqipërisë në Liban, Marc Ghorayeb. “Nder i veçantë të ritakohesha me Gjeneral Major Abbas Ibrahim, drejtor i Përgjithshëm i Sigurisë së Libanit dhe me Konsullin e Përgjithshëm të Shqipërisë në Liban Z. Marc Ghorayeb. Ata ndodhen në Tiranë për një vizitë dy ditore. I falënderova sërish për kontributin e jashtëzakonshëm që kanë dhënë për riatdhesimin e shqiptarëve nga kampet e ferrit në Siri. Mirënjohja jonë ndaj tyre do të mbetet e përjetshme. Me Gjeneralin dhe Konsullin, si dhe struktura tona të Policisë së Shtetit po vijojmë punën për riatdhesime të tjera nga ata që kanë mbetur ende pas. Janë operacione të vështira që marrin kohë, por tashmë kemi një përvojë të mirë dhe vendosmërinë e duhur për t’i shkuar deri në fund gjërave”, shprehet Çuçi.

Ndërkohë, drejtori i Përgjithshëm të Sigurisë së Libanit, Abbas Ibrahim ka zhvilluar edhe një takim me Kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikollën. I pranishëm në takime ka qenë edhe Konsulli i Përgjithshëm i Shqipërisë në Liban Marc Ghorayeb.

Ora 20:02
Nikolla priti Drejtorin e Përgjithshëm të Sigurisë së Libanit: Shqipëria, e vendosur kundër terrorizmit e ekstremizmit

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, priti në një takim Drejtorin e Përgjithshëm të Sigurisë së Libanit, Abbas Ibrahim. Në takim ishte i pranishëm edhe Konsulli i Përgjithshëm i Shqipërisë në Liban, Marc I. Ghorayeb.

Siç njofton zyra e shtypit, Nikolla e falënderoi Gjeneralin Abbas Ibrahim për kontributin e tij shumë të madh për riatdhesimin e fëmijëve dhe të grave shqiptare prej kampeve në Siri si edhe në mbështetjen për personelin shqiptar përgjatë operacioneve të riatdhesimit në terren. Ndërkohë, Nikolla theksoi se Shqipëria është e vendosur kundër terrorizmit e ekstremizmit.

“Shqipëria i është bashkuar me vendosmëri aleatit tonë strategjik, ShBA, në luftën e papajtueshme kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Terrorizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm maskohen pas motive fetare, por nuk kanë asgjë të përbashkët me besimin dhe Islamin”, tha Nikolla.

Gjeneral Major Abbas Ibrahim, uroi Nikollën për detyrën e re, teksa shprehu vlerësimet për kontributin e Qeverisë së Shqipërisë për paqen e sigurinë në rajon e më gjerë.

"Shqipëria është për dialog e jo konflikt midis qytetërimeve si edhe për bashkëjetesë e harmoni dhe jo urrejtje midis besimeve e komuniteteve fetare dhe për këtë qëllim ofron jo vetëm modelin, por edhe kontributin e saj", tha Abbas Ibrahim.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?