Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Andis Salla, ditën e sotme ka vizituar ambientet e Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV).
Salla shkruan se ky institucion ka pësuar një ndryshim rrënjësor. Sipas tij, ky transformi dëshmon profesionalizmin e burimeve njerëzore, investimin në kapacitete laboratorike.
Ndërsa më tej thekson se rëndësi të veçantë mbetet bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë, ku projekti i Bankës Botërore po mbështet rritjen e kapaciteteve të ISUV-it dhe modernizimin e laboratorëve.
Postimi i plotë:
Në ambientet e Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, ku janë riakredituar dhe zgjeruar analizat sipas standardit ndërkombëtar ISO 17025:2017, për të parë nga afër angazhimin e përditshëm që garanton sigurinë e zinxhirit tonë ushqimor, nga ferma në tryezën e çdo familjeje shqiptare.
Nga vetëm 6 analiza të akredituara në vitin 2013, sot ISUV numëron 1,945 teste të certifikuara deri në vitin 2029, mes tyre edhe 12 analiza të reja për substanca delikate si Tetraciklinat në mjaltë apo Nitrofuranet në qumësht. Ky transformim dëshmon profesionalizmin e burimeve njerëzore, investimin në kapacitete laboratorike dhe mbështetjen e politikave tona, që sjellin siguri për konsumatorin, besim për fermerin dhe besueshmëri për produktet shqiptare në tregjet ndërkombëtare.
Me rëndësi të veçantë mbetet bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë, ku projekti i Bankës Botërore po mbështet rritjen e kapaciteteve të ISUV-it dhe modernizimin e laboratorëve, përmes investimeve në 7 laboratorë rajonalë dhe në 6 PIK, duke e forcuar rolin e ISUV-it si institucion referencë në rang kombëtar.
Po përparojmë me hapa të sigurtë e të qëndrueshëm drejt vizionit #Bujqësia2030, duke ngritur standardet kombëtare në një nivel të ri besueshmërie dhe duke përmbushur me seriozitet detyrimet e Kapitullit 12 për Sigurinë Ushqimore, si pjesë e pandarë e rrugëtimit tonë europian.
Komente
