Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, tha se me homologen e tij kosovare, Donika Gërvalla, kanë biseduar për hapat që duhet të ndërmerren kundër lëvizjes Hizmet të klerikut Fetullah Gulen, që Turqia i referohet me akronimin FETO dhe të njëjtën e ka shpallur organizatë terroriste.
Gjatë një konference për media më 6 shtator, Fidan pretendoi se kjo organizatë paraqet kërcënim edhe për Kosovën.
“Folëm edhe për luftimin e terrorizmit, për hapat që duhet të ndërmerren kundër organizatës terroriste FETO [Organizata Terroriste Fethullaiste]. Për fat të keq, prania e FETO-s në Kosovë vazhdon të jetë shqetësuese për ne. Dua t’iu kujtoj se FETO është kërcënim edhe për Kosovën. Ne duhet ta luftojmë bashkërisht këtë organizatë”, tha Fidan.
Ai theksoi se Turqia mbështet përpjekjet e Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, dhe rruga e vetëm në këtë drejtim është dialogu. Kështu është shprehur ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Hakan Fidan pas takimit që zhvilloi sot në Kosovë me homologen e saj kosovare, Donika Gërvalla.
Ministri Fidan u shpreh se shteti turk ka marrëdhënie të mira me shtetin e Kosovës, derisa u zotua në thellimin e raporteve në aspektin ekonomik, politik e kulturor.
Para mediave, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla u shpreh se shteti turk e ka mbështetur Kosovën vazhdimin në fuqizimin e saj ndërkombëtar. Ajo theksoi se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Turqisë janë të bazuara në miqësi të gjatë dhe do të punojnë të thellohen edhe më tej.
Zëvendëskryeministrja, Gërvalla foli edhe rolin e komunitetit shqiptar në Turqi duke i konsideruar si urë komunikimi për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Hakan Fidan krahas homologes së tij, Donika Gërvalla sot do të takohet edhe me presidenten e Kosovë, Vjosa Osmani dhe kryeministrin, Albin Kurti.
Vizita e ministri turk po ndodh në vazhdën e vizitave të tij në rajon, ku ditë më parë ishte për vizitë edhe në Maqedoninë e Veriut./Kosovapress