Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu u takua me ministrin e Mbrojtjes së Turqisë, Yaşar Güler, gjatë vizitës së tij në Turqi, në kuadër të pjesëmarrjes në Panairin e 17-të Ndërkombëtar të Industrisë së Mbrojtjes - IDEF 2025.
Në këtë takim mes dy ministrave u diskutuan tema kyçe për forcimin e partneritetit strategjik midis Shqipërisë dhe Turqisë në fushën e Mbrojtjes dhe Sigurisë.
Ministri Vengu vlerësoi gjatë bisedës mbështetjen e Turqisë në forcimin e aftësive mbrojtëse të Shqipërisë. Sipas ministrit Vengu, duke u mbështetur në vendimet e marra në Samitin e NATO-s në Hagë, Shqipëria synon të ndajë burime shtesë për zbatimin e objektivave ushtarake kryesore. Në drejtim të forcimit të qëndrueshmërisë, përparësi do t’i jepet gatishmërisë operacionale të forcave ajrore, zhvillimit të industrisë ushtarake dhe infrastrukturës kritike, duke zbatuar një qasje shumëpërdorimëshe dhe shumëqëllimëshe.
Temë e veçantë e bisedimeve ishte zhvillimi i industrisë së mbrojtjes në Shqipëri. “Qeveria shqiptare është e angazhuar për t’a shndërruar këtë sektor në një pjesë të qëndrueshme dhe konkurruese të industrisë kombëtare. Shqipëria është e gatshme të shqyrtojë mundësi konkrete për bashkëpunim me kompanitë turke të mbrojtjes, përfshirë bashkëprodhimin dhe transferimin e teknologjisë. Prania në IDEF 25 shërben si një platformë reale për të avancuar këto synime”, - u shpreh ministri Vengu.
Komente
