Foto ilustruese

Ministria e Bujqësisë: Nuk ka raste të reja të gripit të shpendëve, aktiviteti tregtar i rikthehet normalitetit

19 Nëntor, 15:56| Përditesimi: 19 Nëntor, 15:57

  • Share

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural njoftoi sot se prej datës 30 tetor nuk ka pasur shfaqje të reja të gripit të shpendëve në vendin tonë.

Në një njoftim për shtyp, MBZHR bën të ditur se, menjëherë pas marrjes së njoftimit Alert për konfirmimin e sëmundjes së influencës aviare në një fermë oborri familjar, në fshatin Mëzez, Njësia Administrative Kashar u morën masa për monitorimin dhe kontrollin e rastit.

Sipas MBZHR-së, për zbulimin e hershëm të sëmundjes dhe kufizimin e përhapjes së saj, Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve ka marrë masat dhe monitoruar 13, 907 ferma për mbarështim shpendësh, të madhësive të ndryshme apo 135, 651 krerë shpendë, nga të cilat janë identifikuar dhe 39 ferma të reja.

Gjatë kontrolleve nuk janë ndeshur dyshime klinike. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit nuk ka evidentuar probleme gjatë 70 kontrolleve në tregtimin e produkteve ushqimore, me origjinë nga shpendët: vezë dhe mish pule. Kanë mbërritur gjithsej 354 mostra në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, të cilat kanë rezultuar negative. Instituti i Shëndetit Publik nuk ka identifikuar raste të dyshimta apo pozitive me influencë aviare në njerëz.

Si pasojë e zgjidhjes së rastit, Shërbimi Veterinar Rajonal ka nxjerrë sot nga karantina vatrën pozitive me influencë aviare.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka raportuar në Organizatën Botërore të Shëndetit të Kafshëve marrjen e masave dhe zgjidhjen e rastit. Qendra Kombëtare e Krizës, mbajti sot në mjediset e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimin Rural takimin përmbyllës për rastin Alert dhe analizimin e ecurisë së monitorimit.

“Aktiviteti tregtar për shpendët e gjallë, në Bashkitë Tiranë, Vorë dhe Kamzë i rikthehet normalitetit dhe urdhri i ministrit “Për marrjen e masave kufizuese për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjes së influencës aviare në shpendë, në mjediset e hapura dhe në tregjet e kafshëve të gjalla”, shfuqizohet”, njofton MBZHR.

Pavarësisht, zgjidhjes së shpejtë dhe parandalimit efikas të rastit, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural udhëzon shpendërritësit në të gjithë vendin, të marrin masa për zbatimin e biosigurisë në fermat dhe mjediset ku ata mbarështojnë shpendë, si dhe të kryejnë blerjen apo lëvizjen e shpendëve, vetëm pasi të jenë autorizuar nga Veterineri Zyrtar i Shërbimit me Certifikatën Veterinare të Lëvizjes së Kafshëve. 

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?