Foto ilustruese

Ligji për arbitrazhin drejt qeverisë, do zgjidhë konfliktet jashtë gjykatave, me kosto të ulët dhe pa zvarritje

20 Tetor 2020, 16:47| Përditesimi: 20 Tetor 2020, 18:07

  • Share

Ministria e Drejtësisë ka hartuar dhe do të dërgojë për miratim në qeveri një projektligj të posaçëm për arbitrazhin kombëtar dhe ndërkombëtar.

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj ka pohuar se miratimi i këtij projektligji dhe një mjedis i mirërregulluar i fushës së arbitrazhit do të sillte impakt pozitiv për të gjitha grupet e interesit, ku vlen të veçohet komuniteti i investitorëve dhe bizneseve të huaja në vend, zhvillimi i mëtejshëm i të cilëve do të pasjellë më shumë të hyra në buxhetin e shtetit dhe ndikime pozitive në ekonominë e vendit, duke i mundësuar kësisoj qeverisë të kryejë më shumë investime publike. “Arbitrazh është një mënyrë alternative e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, e cila konsiston në një teknikë ligjore të krijuar me qëllim që t’i japë një zgjidhje një çështjeje që ka të bëjë me marrëdhëniet midis dy ose më shumë personave, nga gjykimi i një ose më shumë personave të tjerë - arbitri ose arbitrat, të cilët ushtrojnë autoritetin e tyre në bazë të një marrëveshje private të palëve dhe vendosin në bazë të kësaj marrëveshje pa qenë të ngarkuar nga shteti me një mision të tillë”, ka pohuar ministrja.

Konkretisht, projektligji parashikon ngritjen në Shqipëri të një sistemi arbitrazhi, si alternativë për zgjidhjen e konflikteve të ndryshme jashtë gjykatave, me kosto shumë më të ulët se proceset gjyqësore, pa burokraci dhe në një kohë shumë të shpejtë në raport me proceset në gjykata. Nisma ligjore Projektligji për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të ndryshme, konfliktet midis shtetit dhe palëve private apo palëve private me njëra-tjetrën, parashikon fillimisht ngritjen e institucionit të arbitrazhit, i cili duhet të regjistrohet pranë Ministrisë së Drejtësisë.

Institucioni i arbitrazhit organizohet sipas ligjit dhe publikon në faqen e internetit, emrin dhe adresën, vendin e ushtrimit të veprimtarisë, tarifat e arbitrazhit dhe numrin e llogarisë bankare të institucionit të arbitrazhit për kryerjen e pagesave nga palët, rregullat proceduriale të institucionit, listën e arbitrave dhe të dhëna të tjera të nevojshme. Por, për të shmangur gjykatat dhe për të shkuar në arbitrazh ka një kusht, sipas të cilit palët në konflikt duhet të nënshkruajnë një marrëveshje me tyre, me të cilën ato pranojnë t’ia nënshtrojnë arbitrazhit mosmarrëveshjen. Pra, arbitrazhi e merr një çështje për ta zgjidhur vetëm nëse të dy palët bien dakord. Marrëveshja e arbitrazhit bëhet me shkrim nga palët, ndryshe është e pavlefshme.

Arbitër mund të emërohet kushdo që plotëson disa kritere ligjore. Por, arbitri që do të zgjidhë një mosmarrëveshje, caktohet me konsensus nga palët. Nëse palët nuk bien dakord, arbitri për zgjidhjen e konfliktit caktohet nga kryetari i gjykatës së rrethit. Ndërkaq, procedurat e arbitrazhit janë konfidenciale, me përjashtim kur palët kanë rënë dakord ndryshe. Seancat e gjykatës së arbitrazhit janë të mbyllura dhe gjykata e arbitrazhit nuk mund t’u bëjë me dije palëve të treta ose të publikojë të dhëna lidhur me procedurat e arbitrazhit.

Ligji parashikon që vendimi i arbitrazhit është i formës së prerë në lidhje me marrëveshjen e shqyrtuar, që nga momenti që shpallet. Vendimi ka fuqinë si një vendim gjykate. Sipas ligjit, vendimi ankimohet në arbitrazhin e apelit, por paraqitja e ankimit ndaj vendimit të arbitrazhit nuk e pezullon ekzekutimin e vendimit të arbitrazhit. Por, një çështje e zgjidhur nga arbitrazhi nuk mund të gjykohet më nga gjykatat e zakonshme.

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?