Ministria e Drejtësisë kërkon shërbim konsulence për luftën kundër kriminalitetit! Rama autorizon Manjën të nisë negociatat me 'G37 Chambers' në Londër

20 Qershor, 09:42| Përditesimi: 9 Nëntor, 22:30

  • Share

Këshilli i Ministrave autorizoi sot ministrin e Drejtësisë të negociojë drejtpërdrejt me subjektin ndërkombëtar “G37 Chambers” për ofrimin e shërbimit të konsulencës për analizimin dhe vlerësimin e të dhënave që duhet të mblidhen nga Ministria e Drejtësisë, me qëllim vlerësimin e fushave të rekomandimeve prioritare në luftën kundër kriminalitetit.

Po ashtu me subjektin “G37 Chambers” do të negociohet edhe për hartimin e metodologjisë për mënyrën e vlerësimit e të ndjekjes në vazhdimësi të zbatimit të këtyre rekomandimeve.

Negocimi do të synojë identifikimin dhe analizimin e situatës aktuale të fushave kryesore që lidhen me luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, pavarësinë dhe përgjegjshmërinë e prokurorëve, si dhe garantimin e të drejtave e të lirive themelore të qytetarëve, në kuadër të rekomandimeve prioritare.

Po ashtu negociimi do të ketë objekt identifikimin dhe analizimin e situatës aktuale mbi politikën penale të ndjekur deri më tani, me fokus krimin e organizuar e antikorrupsionin dhe tendencat e kriminalitetit në vend, duke dhënë edhe rekomandime për vendimmarrjen e ardhshme për politikën penale.

Sipas vendimit do të evidentohet marrja dhe analizimi i të dhënave për vlerësimin e rekomandimeve të dhëna në luftën kundër kriminalitetit, si dhe për vlerësimin e politikës penale, që duhet të hartojë Ministria e Drejtësisë në përmbushje të detyrimit ligjor.

Me subjektin ndërkombëtar do të negociohet edhe mbi identifikimin e kritereve të qarta dhe të matshme të cilat do të shërbejnë si një pikënisje për daljen në konkluzione për rekomandimet që duhet të jepen, bazuar në vlerësimin e problematikave dhe gjetjeve mbi tendencat e kriminalitetit në vend, me fokus krimin e organizuar dhe antikorrupsionin në kategori të ndryshme të marrëdhënieve shoqërore që mbrohen nga Kodi Penal.

Kush eshte G37 Chambers”? 

G37 Chambers është një kompani me specialistë të së Drejtës Ndërkombëtare me qendër në Londër të Mbretërisë së Bashkuar. Në faqen e saj ndër të tjera kjo kompani informon se ka dhënë udhëzimet aktuale ku përfshijnë rastet dhe hetimet e profilit të lartë para gjykatave vendase në Angli dhe Uells dhe jashtë saj, gjykata të specializuara (Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë), gjykatat dhe institucionet rajonale të të drejtave të njeriut (si Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut) dhe gjykatat ndërkombëtare, siç janë Gjykata Ndërkombëtare Penale dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë.

Kjo kompani ka aktivitetin e saj në shtete si Argjentinë, Bahrein, Bangladesh, Bosnjë dhe Hercegovinë, Burma/Myanmar, Kamboxhia, Kili, Kolumbi, Kroaci, Xhibuti, DRC, Ekuador, Egjipt, El Salvador, Gambia, Guantanamo, Guatemala, India, Iraku , Izraeli, Kenia, Kosova, Libani, Libia, Maldivet, Meksika, Monako, Mali i Zi, Holanda, Nigeria, Pakistani, Palestina, Peruja, Ruanda, Arabia Saudite, Serbia, Sudani i Jugut, Spanja, Sri Lanka, Siria, Tunizia, Turqia, Ukraina, Emiratet e Bashkuara Arabe, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Venezuela dhe Jemeni.

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 19 Qershor 2024:

V E N D I M

Për "Autorizimin e ministrit të Drejtësisë të negociojë drejtpërdrejt me subjektin ndërkombëtar G37 Chambers, për ofrimin e shërbimit të konsulencës për analizimin dhe vlerësimin e të dhënave që duhet të mblidhen nga ministria e Drejtësisë, me qëllim vlerësimin e fushave të rekomandimeve prioritare   në luftën kundër kriminalitetit dhe për hartimin e metodologjisë për mënyrën e vlerësimit e të ndjekjes në vazhdimësi të zbatimit të këtyre rekomandimeve.

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 52, të    ligjit nr.16/2024, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.162/2020, “Për prokurimin publik””, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Autorizimin e ministrit të Drejtësisë të negociojë drejtpërdrejt me subjektin ndërkombëtar G37 Chambers për ofrimin e shërbimit të konsulencës për analizimin dhe vlerësimin e të dhënave që duhet të mblidhen nga Ministria e Drejtësisë, me qëllim vlerësimin e fushave të rekomandimeve prioritare në luftën kundër kriminalitetit dhe për hartimin e metodologjisë për mënyrën e vlerësimit e të ndjekjes në vazhdimësi të zbatimit të këtyre rekomandimeve.

2. Negociimi të ketë në objekt:

a) identifikimin dhe analizimin e situatës aktuale të fushave kryesore që lidhen me luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, pavarësinë dhe përgjegjshmërinë e prokurorëve, si dhe garantimin e të drejtave e të lirive themelore të qytetarëve, në kuadër të rekomandimeve prioritare;

b) identifikimin dhe analizimin e situatës aktuale mbi politikën penale të ndjekur deri më tani, me fokus krimin e organizuar e antikorrupsionin dhe tendencat e kriminalitetit në vend, duke dhënë edhe rekomandime për vendimmarrjen e ardhshme për politikën penale;

c) evidentimin, marrjen dhe analizimin e të dhënave për vlerësimin e rekomandimeve të dhëna në luftën kundër kriminalitetit, si dhe për vlerësimin e politikës penale, që duhet të hartojë Ministria e Drejtësisë në përmbushje të detyrimit ligjor;

ç) identifikimin e kritereve të qarta dhe të matshme të cilat do të shërbejnë si një pikënisje për daljen në konkluzione për rekomandimet që duhet të jepen, bazuar në vlerësimin e problematikave dhe gjetjeve mbi tendencat e kriminalitetit në vend, me fokus krimin e organizuar dhe antikorrupsionin në kategori të ndryshme të marrëdhënieve shoqërore që mbrohen nga Kodi Penal;

d) përgatitjen e formateve tip, platformave apo mjeteve/formave të tjera për mbledhjen e të dhënave dhe informacionit mbi tendencën e kriminalitetit, si dhe mënyrën e zbatimit të rekomandimeve prioritare të cilat do të duhet të identifikohen nga këto të dhëna;

      dh) identifikimin e fushave dhe çështjeve që duhet të shërbejnë si bazë në përgatitjen e rekomandimeve prioritare të ardhshme të Këshillit të Ministrave;

e) hartimin e metodologjisë për mënyrën e vlerësimit e të ndjekjes në vazhdimësi të zbatimit të rekomandimeve prioritare në luftën kundër kriminalitetit dhe paraqitjen e saj për miratim pranë ministrit të Drejtësisë.

3.  Ngarkohet ministri i Drejtësisë për zbatimin e këtij vendimi.

     Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

M.Q.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Johnny: 20/06/2024 10:10

    Pse nuk thoni që jemi të pa aftë dhe të kapur nga korupsioni e krimi dhe nuk e luftojmë dot. Plus që krimi sponsorizon konsulencat për kapjen e tij.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?