Afro 30. 3 miliardë lekë, më shumë para ka mbledhur arka e shtetit në 7 muaj më raport me janar-korrikun e vitit të kaluar. Ministria e Financave raporton se të ardhurat gjatë kësaj periudhe janë rritur me 8.2%, dhe në total janë mbledhur 402 miliardë e 514 milionë lekë.
Bumi turistik, shtimi i konsumit dhe rritja e pagave kryesisht të administratës, kanë ndikuar në rritjen e të hyrave në buxhet.
Sipas të dhënave nga tatimet janë mbledhur 130.3 miliardë lekë, duke tejkaluar me 12.9 miliardë lekë shifrat e vitit të kaluar, por edhe planifikimet e këtij viti. Rritja e pagave ka pasur rolin kryesor pasi nga tatimi mbi pagat janë arkëtuar 38.1 miliardë lekë, duke kapërcyer planin dhe duke u rritur me 15.3% krahasuar me shtatë-mujorin e 2023-shit.
Rritja e pagave ka sjellë automatikisht më shumë para në arkën e shtetit nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, të cilat në 7 muaj arritën në 92 miliardë lekë ose 9.6 miliardë lekë më shumë se vjet.
Si rezultat i shtimit të konsumit janë rritur me 23.7% të ardhurat nga TVSH-ja në 7-mujor kanë arritur në 32.7 miliardë lekë. I vetmi tregues me rënie është fitimi i bizneseve, pasi të ardhurat nga tatimi mbi fitimin arritën në 36.1 miliardë lekë rreth 2.2 miliardë lekë më pak se vjet.
Ndërsa nga doganat në këto 7 muaj janë mbledhur 131.2 miliardë lekë, ku vetëm nga TVSH-ja janë arkëtuar 89.5 miliardë lekë, afro 6.6 miliardë lekë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Po ashtu janë mbledhur 34.9 miliardë lekë nga akciza, ndërsa në rritje janë edhe të ardhurat nga renta minerare, apo taksat doganore. Rritja e të ardhurave doganore ishte e pritshme për shkak edhe të volumit të lartë të importeve krahasuar me vjet.
Sa i takon shpenzimeve, ato arritën në 347.5 miliardë lekë në periudhën 7- mujore ose 20.5 miliardë lekë më shumë se vjet. Edhe tek shpenzimet ndikim ka dhënë rritja e rrogave për administratën në 1 korrik, që ka shtuar edhe kostot në buxhet.