Shqipëria ka dorëzuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, deklaratën mbi detyrimet ligjore të shteteve në lidhje me ndryshimet klimatike.
Ministria e Jashtme njofton se në kuadrin e angazhimeve të qeverisë shqiptare në luftën globale kundër ndryshimeve klimatike, u dorëzua deklarata me shkrim në Hagë, pasi GJND ka nisur procedurat e dhënies së një opinioni këshillimor për shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara, mbi detyrimet ligjore të tyre ndaj ndryshimeve klimatike.
Kjo deklaratë, vjen pas komenteve të Kryeministrit Rama në dhjetor në OKB ku theksoi se vendet në zhvillim si Shqipëria, janë përballur me ndikimin negativ të ndryshimeve klimatike, ndërsa tërhoqi vëmendjen për barrën disproporcionale që u vendoset vendeve në zhvillim në përballimin e emergjencave klimatike, pavarësisht ndikimit minimal të tyre në këto situata.