Ministria e Jashtme ka reaguar pas deklaratës së sotme të Sali Berishës, që pretendoi se ministri Igli Hasani u ka bërë presion vëzhguesve të OSBE-ODIHR për zgjedhjet e 11 Majit përmes një letre.
Ministria e Jashtme thotë se nuk bëhet fjalë për ndërhyrje në punët e OSBE-ODIHR, e aq më pak për presione.
Sipas Ministrisë së drejtuar nga Igli Hasani, letra e dërguar pranë misionit vëzhgues është praktikë normale që përmban saktësime teknike lidhur me gjetjet e raportit paraprak.
Këto sqarime në letër, thotë Ministria e Jashtme, vlerësohen nga vetë OSBE-ODIHR nëse duhen marrë në konsideratë ose jo.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një deklaratë nga selia blu sot, bëri publike një letër, sipas të cilit, ministri i Jashtëm Igli Hasani ka kërcënuar ekipin e vëzhguesve ndërkombëtar.
Për të njëjtën çështje, pak kohë më parë reagoi për Report Tv edhe OSBE, duke hedhur poshtë pretendimet për kërcënime.
Reagimi i plotë i Ministrisë së Jashtme:
Në lidhje me pretendimet e sotme të Kryetarit të Partisë Demokratike mbi letrën e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme drejtuar institucioneve ndërkombëtare të përfshira në vëzhgimin e zgjedhjeve të 11 Majit 2025 në Shqipëri, sqarojmë se:
Siç është e qartë dhe në letrën e përmendur, nuk bëhet fjalë për ndërhyrje në punën e Misionit të vëzhguesve të ODIHR, dhe aq më pak presion ndaj tyre.
Është në praktikën normale të çdo procesi zgjedhor, që autoritetet e shtetit pritës të përcjellin pranë Misionit vëzhgues saktësime teknike dhe kontekst lidhur me gjetjet e raportit paraprak, për të cilat vlerësohet se janë të nevojshme për t’u konsideruar në një raport përfundimtar të bazuar në fakte dhe prova.
Edhe në rastin në fjalë, janë paraqitur sqarime që janë vlerësuar se mund të merren parasysh nga raportuesit gjatë hartimit të Raportit përfundimtar. Sigurisht, marrja në konsideratë apo jo e sqarimeve, është ne diskrecionin e plotë të Misionit vëzhgues.
Kujtojmë se edhe vetë ODIHR ka reaguar më parë që nuk ka pasur një presion të tillë.
MEPJ mbetet gjithmonë e angazhuar për të respektuar pavarësinë dhe integritetin e çdo mekanizmi vëzhgues në përputhje me mandatin që i është ngarkuar nga ODIHR.
Komente
