Ministria e Kulturës shpall garën për drejtor të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit dhe Ansamblit Popullor. Aktualisht këtë pozicion e mban prej gushtit të vitit 2016, Zana Çela.
Arsyet për tejzgjatjen e mandatit të drejtores aktuale të TKOB në afro një mandat e gjysmë, Ministria e Kulturës i shpjegoi vetëm pak ditë më parë për “Report Tv”, duke thënë se TKOB është në fazën e riorganizmit që kërkon kohë dhe se do të ishte e padrejtë sikur të ishte bërë shpallja, apo të ishte bërë konkursi për drejtuesin e ri të këtij institucioni ndërkohë që nuk ka përfunduar kjo fazë.
Njoftimi i Ministrisë së Kulturës
Në zbatim të Ligjit 10352, datë 18.11.2010 “Për artin dhe kulturën”, i ndryshuar, si dhe kërkesave dhe procedurës së përcaktuar në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 173, datë 07.03.2003 “Për emërimin, lirimin ose shkarkimin nga detyra të drejtuesve të institucioneve, në varësi të Këshillit të Ministrave, Kryeministrit ose Ministrit”, Ministria e Kulturës shpall konkursin për pozicionin:
Drejtor i Përgjithshëm në Teatrin Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Populllor – Kategoria e pagës II-b
*Afati për dorëzimin e dokumenteve 19.04.2022
Përshkrimi përgjithësues i punës për këtë pozicion:
Objektiva artistikë
Të parashtrohet një platformë e ideve të reja manaxheriale dhe artistike, në përbërje të së cilës të përfshihen:
- planifikimi strategjik i manaxhimit financiar dhe artistik të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.
- platforma artistike për fëmijët dhe të rinjtë.
- planifikimi i shkëmbimeve ndërkombëtare, veçanërisht mbarëkombëtare, ballkanike dhe europiane.
- të adresojë sfidat aktuale të TKOBAP dhe të ofrojë zgjidhje alternative.
Objektiva të politikës kulturore
- Të zhvillojë marrëdhënie të qëndrueshme me institucionet arsimore përmes projekteve, që nxisin përfshirjen dhe krijimtarinë e të gjithë grupmoshave në përgjigje të politikës së Ministrisë “Edukim përmes kulturës”;
- Të krijojë lidhje me strukturat ekonomike dhe ato të biznesit publik e privat, për të ndërgjegjësuar dhe tërhequr një publik të ri;
- Të dëshmojë kreativitet dhe të ndërmarrë nisma frymëdhënëse, për të fituar audienca të reja;
- Të ketë përvojë në ndërtimin dhe mbajtjen e marrëdhënieve me donatorë dhe grupe të tjera interesi, si dhe në ngritjen e fondeve prej burimeve të ndryshme – si të sektorit publik ashtu dhe privat dhe t’i dëshmojë ato.
Objektiva në administrim
- Të sigurojë ligjshmëri dhe transparencë të kontratave individuale dhe procedurave të punësmit;
- Të ndërtojë një plan të qartë buxhetor financiar, vjetor;
- Të bëjë të mundur rritjen e të ardhurave përmes burimeve të treta;
- Të ngrejë një sistem treguesish vlerësimi të punës së institucionit për të lehtësuar dialogun me Ministrinë e Kulturës prej nga varet;
- Kushtet për konkurrim dhe kriteret e veçanta:
1.1 Kandidati duhet të plotësojë kushtet për konkurrim si vijon:
- Të jetë shtetas shqiptar;
- Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
- Të zotërojë gjuhën shqipe të shkruar dhe të folur;
- Të jetë në kushte shëndetësore, që e lejojnë të kryejë detyrën përkatëse;
- Të përmbushë kërkesat ligjore për nivelin arsimor dhe të zotërojë aftësitë e nevojshme profesionale për vendin përkatës të punës;
- Të mos jetë dënuar me vendim të formës së prerë të gjykatës për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundravajtje penale me dashje;
- Ndaj tij të mos jetë marrë masë disiplinore e largimit nga puna për shkak të një shkeljeje të rëndë disiplinore;
Kandidatët duhet të plotësojnë kërkesat e posaçme si vijon:
- Të zotërojë diplomë të nivelit “Master Shkencor” në shkenca ekonomike ose menaxhim të artit kulturor;
- Të ketë të paktën 5 vite përvojë pune në profesion, si edhe përvojë të konsiderueshme në drejtim dhe menaxhim në fushën e artit, si dhe në drejtimin e projekteve kulturore;
- Të ketë përvojë në konceptimin dhe ekzekutimin e projekteve afatgjata në fushat e artit dhe të kulturës;
- Të ketë përvojë në krijimin/vënien në jetë të strategjive financiare, me qëllim realizimin e projekteve/aktiviteteve artistike;
- Të ketë përvojë në ndërtimin dhe mbajtjen e marrëdhënieve me donatorë dhe grupe të tjera interesi, si dhe në ngritjen e fondeve prej burimeve të ndryshme – si të sektorit publik ashtu dhe privat dhe t’i dëshmojë ato;
- Të ketë aftësi të dallueshme komunikimi në ruajtje dhe zhvillim të kontakteve, brenda dhe jashtë institucionit, si dhe me partnerët vendorë e ndërkombëtarë;
- Të ketë përvojë në menaxhimin e programeve/nismave, në përputhje me politikat e Ministrisë së Kulturës;
- Të ketë aftësi të shprehura për iniciativë dhe kreativitet;
- Të zotërojë shumë mirë gjuhën angleze. Gjuhë të tjera të huaja përbëjnë avantazh.
- Dokumentacioni, mënyra dhe afati i dorëzimit
Kandidatët që aplikojnë duhet të dorëzojnë dokumentat si më poshtë:
- Jetëshkrim (CV);
- Letër e shprehjes së interesit;
- Fotokopje të diplomës dhe të listës së notave të noterizuara;
- Fotokopje të librezës së punës (të gjitha faqet që vërtetojnë eksperiencën në punë);
- Fotokopje të letërnjoftimit (ID);
- Vërtetim të gjendjes shëndetësore;
- Vërtetim të gjendjes gjyqësore;
- Çdo dokument tjetër që vërteton trajnimet, kualifikimet, arsimin shtesë, vlerësimet pozitive, rekomandime apo të tjera të përmendura në jetëshkrimin e kandidatit.
- Platformë për administrimin dhe promovimin e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Asamblit Populllor.
- Fusha e njohurive, aftësitë dhe cilësitë mbi të cilat do të zhvillohet intervista
Kandidatët do të testohen në lidhje me:
- Njohuri mbi ligjin nr.7961, datë 12.07.1995 “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar;
- Njohuri mbi Ligjin nr. 10352, datë 18.11.2010 “Për artin dhe kulturën”, i ndryshuar;
- Njohuri mbi Ligjin nr. 35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”;
- Njohuri mbi Ligjin nr. 90/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”;
- Njohuritë mbi Ligjin nr. 9131, datë 08.09.2003 “Për rregullat e etikës në administratën publike”;
- Prezantimi i platformës për administrimin dhe promovimin e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Populllor.