Luan Kapaj që u cilësua nga Ministria e Mbrojtjes si një ‘piroman’ në një video të shpërndarë nga kjo e fundit në fakt është një zjarrfikës hero. Në dhjetor 2019 Kryeministri Edi Rama i ka dhënë atij medaljen e artë të vlerësimit profesional zjarrfikësit të Vlorës, pasi mori pjesë në operacionet e kërkim shpëtimit për të nxjerrë njerëzit nga rrënojat në Durrës pas tërmetit tragjik të 26 Nëntorit.
Këtë dekoratë e mori për herë të parë një individ, pasi më parë e morën ekipet e kërkim shpëtimit të vendeve të huaja që ndihmuan pas tragjedisë.
" Ndodh që kur dikush bën mirë një punë, njerëzit thonë 'detyrën po bën', por dallimin e bën pikërisht përkushtimi dhe cilësia në kryerjen e detyrës. Me shumë respekt dëshiroj të dorëzoj këtë medalje dhe të them se jam i privilegjuar dhe i prekur që jam pranë teje, sepse në kushtet e jetës së përditshme njerëzit si ti janë thjeshtë në jetën e tyre dhe ne rrallë i shohim. Të jam shumë mirënjohës dhe të falënderoj për gjithçka" i tha Rama.
Ndërsa nga ana tij zjarrfikësi u shpreh se është krenarë për faktin që shpëtoi dy qytetarë, ndërsa shtoi se do të vijojë që ti shërbejë atdheut deri ditën e fundit të jetës.
"Më shumë se sa krenarë më bën krenarë për dy qytetarët e mi që marrin ajrin e kësaj toke dhe shikojnë dritën e diellit. Do i shërbej popullit tim deri në ditën e fundit të jetës sime" tha ai. Dy qytetarët që Kapaj u shpëtoi jetën ishin të pranishëm duke duartrokitur vlerësimin për zjarrfikësin, ndërsa njëri prej tyre u shpreh se "Luani më shpëtoi jetën. Kishte zemër të madhe, sikur ka emrin ishte edhe vete". Kryeministri Edi Rama e mbylli ceremoninë me një batutë "vlonjatë jemi, por ti je më vlonjat se unë, asaj pjese ia dedikoj edhe pjesën e fortë" tha ai.