Ministrja Balluku 'dhuratë' qytetarëve për Vitin e Ri: Autostrada Tiranë-Durrës pa pagesë, s'do jepet me koncesion! Punimet në sheshin 'Shqiponja', qarkullimi hapet në mars 2021

31 Dhjetor 2020, 22:00| Përditesimi: 1 Janar 2021, 02:16

  • Share

Pandemia ka ngadalësuar ecurinë e shumë projekteve të rëndësishme në vend. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku gjatë një interviste për Report TV, tha se shumë kantiere u penalizuan dhe procedura tenderuese u shtyn për në një moment të dytë i tillë si rasti i Aeroportit të Vlorës.

Por në këtë vit të vështirë sipas ministres gjeti realizim tenderi për dy nga investimet më të mëdha tuneli i Llogarasë dhe Parku fotovoltaik i Karavastasë. Balluku zbulon për Report TV se autostrada Tiranë-Durrës nuk do të jepet me koncesion pasi përfundimi i ‘Korridorit Blu’ do ti reduktojë trafikun që krijohet. Ndërkohë kanë përfunduar 4 tunele tek Sheshi Shqiponja, ndërsa në mars të vitit 2021 do të hapet plotësisht qarkullimi.

Ministrja Balluku zbuloi edhe detaje të tjera për aeroportin e Vlorës për të cilin tha se ka pasur goxha interes nga kompanitë për të marrë pjesë në tendër, dhe se në ditët e para të janarit do të kemi një fitues. Ky aeroport në jug të vendit do të ketë pistën 3.2 kilometra do të mundësojë fluturime trans-oqeanike nga Shqipëria pra pa pasur më nevojë që të shkojmë në aeroporte të huaja, si dhe në të do të zhvillohet biznesi i hangarëve. Pas hapjes së kantierit për ndërtimin e këtij aeroporti do të hapet procedura tenderuese për aeroportin sezonal të Sarandës. Ndërsa aeroporti i Kukësit do të jetë rajonal me fokus tek fluturimet e Evropës veriore.

Ora 23:51
Opozita akuza qeverisë për projekte elektorale/ Balluku: Janë investime me studim, jo për t'i hedhur hi syve elektoratit (VIDEO)

Ministrja Belinda Balluku ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet e opozitës se projektet e qeverisë Rama që mbyllen para zgjedhjeve të jenë elektorale.

“Opozita ka punën e vet, dhe nuk presim që të na duartrokas është e kuptueshme që sa më shumë të afrojnë zgjedhjet më shumë akuza dhe agresivitet pritet nga ana e opozitës. Është një opozitë si kudo në botë dhe është detyra e asaj që të kritikojë por jo të shajë dhe të mallkojë qeverinë do të thosha unë, përsa kohë kritikat janë konstruktive edhe nga ana jonë ne nuk i kemi veshët e mbyllura dhe sigurisht që dëgjojmë dhe kuptojmë. Vepër elektorale do të thotë që ne s’kemi pasur asnjë studim dhe asnjë plan dhe në një mëngjes të bukur thjesht për ti hedhur hi syve të elektoratit vendosëm të nxirrnim sisa projekte nga sirtari. Ne i kemi pasur dhe i kemi bërë mirë me studime dhe do ti realizojmë sepse askush tjetër nuk mund të bëjë projekte kaq të rëndësishme për Shqipërinë përveç qeverisë Rama”, u shpreh ajo.

Ministrja ka listuar gjatë intervistës edhe disa nga projektet ambicioze të qeverisë që sipas saj janë studiuar dhe shpalosur prej vitesh.

“Por të thuash që Unaza e Madhe është vepër elektorale është qesharake pasi ka nisur në vitin 2018, pra janë 2 vite. Çfarë duhet të bëjmë? Nuk është se e nisëm pardje për të thënë është vepër elektorale. Të thuash që aeroporti i Vlorës është vepër elektorale është qesharake sepse e kemi hapur këtë proces para 3 vitesh, dhe sigurisht ne nuk kemi në kontroll as investitorët turq, dhe as pandeminë që të mos ndodhi dhe ta kishim mbyllur. Të thuash që tuneli i Llogarasë është vepër elektorale sepse kemi 2 vite që punojmë, dhe këtë kanë dashur ta bëjnë të gjitha qeverisë, dhe tani të na akuzosh për vepra elektorale. Vepër elektorale do të thotë që ne s’kemi pasur asnjë studim dhe asnjë plan dhe në një mëngjes të bukur thjesht për ti hedhur hi syve të elektoratit vendosëm të nxirrnim sisa projekte nga sirtari”,theksoi ministrja.

Ora 23:25
Zyrtarisht i anuluar koncesioni i Milot- Balldre, Balluku: Ka nisur puna për rrugën Orikum-Dukat (VIDEO)

Koncesioni i fituar nga kompania ANK për ndërtimin e rrugës Milot- Balldre është zyrtarisht i anuluar. Ministrja Balluku tha gjatë intervistës se kompania nuk arriti të plotësonte kushtet.

“Përsa i përket Milot-Balldrenit kemi pasur një pamundësi nga kompania për të plotësuar kushtet kontraktuale dhe si e tillë ministria nuk mund të konsiderojë vazhdimin e këtij koncesioni”, tha Balluku.

Gara nisi në vitin 2018, ku kompania në fjalë fitoi të drejtën për të ndërtuar rrugën prej 17.2 km të gjatë, me kosto 256 milionë euro. Ndërkohë sa i takon koncesionit tjetër Orikum-Dukat, ministrja thotë se puna ka nisur.

“Orikum-Dukat në informacionin tim zyrtar ka nisur puna kantieret janë ndërtuar, unë kam qenë shumë e zënë dhe nuk kam pasur mundësi për ti vizituar kantieret për inspektim për të parë se si ecën puna atje por do ndodh gjatë janarit. Është një kontratë e firmosur janë përmbushur të gjitha kushtet kontraktuale dhe puna ka nisur”, sqaron ajo. 

Ora 22:48
Fituesi për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës brenda janarit! Balluku: Interesi është i lartë, pas hapjes së kantierit nisim me atë të Sarandës, e Kukësi fluturime drejt Europës veriore (VIDEO)

Në një kohë që procedura tenderuese për Aeroportin e Vlorës, është stopuar ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku në një intervistë për Report TV thotë se përsëri brenda janarit gara do të ketë përfunduar nga ana procedurale.

“Për shkak të një ankese legjitime KPP ka pezulluar punën për 10 ditë ose ndoshta më shumë dhe ne do të kemi në datë 11 janar në dijeninë time porsa i përket ofertave për këtë projekt. Pra në ditët e para të janarit ne do të kemi edhe aeroportin e Vlorës të përfunduar nga ana procedurale për të shkuar  menjëherë tek nënshkrimi i kontratës”, sqaron ministrja e infrastrukturës Belinda Balluku.

Ministrja sqaron se tenderi është rihapur pasi ka pasur interes, pavarësisht se aviacioni është në vështirësi financiare si pasojë e pandemisë COVID-19. Balluku thotë se në garë nuk mund të marrë pjesë një kompani që nuk ka eksperiencë në këtë fushë.

“Ka pasur shumë interes dhe ne e hapëm garën se kishte interes pasi përndryshe gara nuk do të niste për shkak se aviacioni vijon në kushte të vështira por kishim shumë kërkesa nga operator të ndryshëm, duke qenë se për të marrë pjesë në garë kompania nevojitet që të jetë një financuar dhe konstruktor por edhe operator. Pra nuk mund të vij një kompani e madhe e huaj që nuk ka pasur eksperiencë, pasi ne kemi vendosur disa limite porsa i përket numrit të përpunimit të pasagjerëve gjatë vitit dhe për të pasur në vend një operator me një eksperiencë të mirë”, pohon ministrja.

Ministrja zbulon në Report TV se në aeroportin e Vlorës do të ngrihet biznesi i hangarëve ose i mirëmbajtjes së avionëve, dhe për këtë ka një kompani të interesuar.

“Përveç kësaj në aeroportin e Vlorës edhe zhvillimi i shumë bizneseve do të jetë shumë i rëndësishëm siç është rasti i zhvillimit të biznesit të hangarëve pra të mirëmbajtjes të avionëve. Ne e kemi një kompani të interesuar e cila do të vihet menjëherë në kontakt me fituesit për të krijuar edhe një lloj tjetër biznesi i cili do të risi kapacitetet e punësimit dhe do të krijojë një industri të re në Shqipëri atë të avionëve e cila është shumë e rëndësishme potencial i rritjes ekonomike dhe pse jo zhvillimit të një sektori që vjen nga fusha e aviacionit, që shkon nga inxhinierët e avionit qoftë të teknikëve të një kategori më të ulët që janë shumë të rëndësishëm në këtë industri”, theksoi ministrja në intervistë.

Pasi të jetë ngritur kantieri për ndërtimin e aeroportit të Vlorës, do të nisin procedurat për të hapur tenderin për ndërtimin e aeroportit të Sarandës.

“Ne jemi shumë gati për aeroportin e Sarandës por ideja është që kemi vendosur që të kemi një skedulë kohore e cila shkon hap pas hapi në plan zhvillimi me aviacionin në Shqipëri. Ndërsa në pranverën e vitit 2021 aeroporti i Kukësit bëhet gati për operim, dhe menjëherë pasi ne ti japim start aeroportit të Vlorës i vjen radha aeroportit të Sarandës, që është edhe i fundit i planit të aeroporteve në fushën e aviacionit. Aeroporti i katërt është një aeroport sezonal, i cili do të jetë i destinuar vetëm për turizëm dhe plan biznesi i tij do të jetë i njëjtë me ato të Korfuzit. Janë aeroporte që e nisin punën në fillim të pranverës dhe mbyllet para nisjes së dimrit maksimumi deri në nëntor”, u shpreh Balluku.

Katër aeroporte në vend për ministren do të kenë shumë ndikim pozitiv tek qytetarët dhe ekonomi.

“Kushti i parë dhe elementi më i rëndësishëm është konkurrenca e pastër. Kalimi nga një treg monopol në një treg konkurrence është vetëm benefit për qytetarët. Konkurrenca është prezente dhe do të ulë çmimet dhe do të rris cilësinë e shërbimit padyshim. Nga ana tjetër duke qenë se të gjitha këto aeroporte kanë tipologjitë ndryshme, pra aeroporti i Kukësit është rajonal që i përgjigjet kërkesës rajonale dhe jo vetëm Shqipërisë së veriut por edhe Kosovës e më gjerë”, tha Balluku.

Sa i takon aeroportit të Kukësit ai nuk do të jetë ndërkombëtar por rajonal dhe do të jetë i fokusuar në destinacionet e Evropës veriore.

“Edhe destinacionet që do të nxiten nga ky aeroport do të lidhen me diasporën e veriut të Shqipërisë dhe zonave përreth. Do të jenë destinacionet të Evropës veriore kryesisht pra do të jetë Londra, Hamburgu, Zyhriu apo destinacionet të tjera të këtij lloji. Ndërkohë i Tiranës mbetet i kryeqytet por me probleme teknike, pasi ka një pistë të shkurtër nuk është e mundur që të kryhen fluturime trans-oqeanike nga ky aeroport dhe sigurisht është një aeroport që sot ndodhet në limitet e përpunimit të kapaciteteve, pra në verën e vitit 2019 unë kam dalë publikisht jo vetëm për sigurinë e aeroportit por edhe për arsyet e kapaciteteve sa i takon numrit të pasagjerëve. Aeroporti i Tiranës mbetet ndërkombëtar por duhet investim që ti përgjigjet tregut”, pohoi Balluku.

Ora 22:07
Përfundojnë 4 tunele tek sheshi 'Shqiponja', Balluku: Qarkullimi hapet në mars 2021, do të menaxhohet nga një qendër speciale që do japë informacion (VIDEO)

Teksa prej javësh është devijuar qarkullimi tek sheshi shqiponja, për shkak të punimeve që po bëhen për ndërtimin e tuneleve nën tokë, për të avancuar me projektin për Unazën e Madhe të Tiranës, Balluku thotë se 4 prej tuneleve janë përfunduar.

“Përsa i përket unazës së madhe ajo ka kompleksitet tjetër. Ka problem shpronësimet, dhe është e vështirë të ndërtosh në kryeqytet sot pasi janë zona të tëra informale të ndërtuara rreth e përqark kryeqytetit apo edhe qytete të mëdha ku ne ndërtojmë të cilat janë informale. Katër tunelet e para janë pothuajse në përfundim dhe mendojmë që shumë shpejt një pjesë të trafikut ta kalojmë tek këto tunele para se të bëjmë hapjen finale, ndërsa po punojmë në tunelin e pestë në kushte maksimale. Duke nisur nga nëntori 2020 dhe deri në muajin mars 2021 tunelet e nëntokës do të bëhen të disponueshme. Ndërkohë punohet në lotin e Pallatit me Shigjeta me shumë ritme të shpejta dhe gjithashtu edhe në lotin e dytë”, sqaron ministrja. 

Kalimi në tunelet e nëndheshme do të jenë të kontrolluara nga një qendër monitorimi që do të japë informacion për qytetarët për drejtuesit e mjetit për qarkullimin.

“Por mos të harrojmë që tek rrethrrotullimi do të jenë 5 tunele, dhe kur ato do të jenë funksionale do të jetë shumë interesante që të shikojmë se si edhe në vend mund të kemi një vepër kaq të komplikuar e cila do të menaxhohet në mënyrë automatike, pasi tunelet që ndodhen nën rrethrrotullim, do të menaxhohen nga një qendër speciale e menaxhimit të tuneleve dhe do të pasqyrohet nëpër ekranet LED shumë të mirë studiuara që nuk shqetësojnë drejtuesit e automjeteve por që do japin informacione të rëndësishme se cili tunel të dërgon ku dhe me radhë”, tha Balluku.

Ndërsa rruga e Arbrit për Ballukun quhet e përfunduar edhe pse afati që ka kompani për ta dorëzuar mbyllet në nëntor 2021.

“Rruga e Arbrit për të thënë të drejtën pavarësisht se në kushte kontraktuale duhet të dorëzohen në nëntor të vitit 2021, ka pasur një angazhim të kompanisë që ta përfundojë brenda afatit. Ajo është një nga veprat më të mëdha që ne kemi në vendin tonë është një rrugë që është model me disa tunele të përfunduara dhe me disa ura që shënojnë edhe nivele lartësie në Ballkan, ka pasur kompleksitet shumë të madh gjeologjik pasi kemi kaluar në zona të ndryshme nga zona e Tiranës që është shumë e pasur ujore që e kthen në një zonë problematike për të pasur infrastrukturë dhe deri në zonat e larta të krahinës së Dibrës.  Kemi pasur një problem teknik të rëndësishëm në zonën e tunelit të Murrizit, i është dhënë një zgjidhej teknike për momentin dhe kompania vijon të punojë atje. Dhe në rast se kompania të mbaj të njëjtin intensitet unë besoj se shumë shpejt puna do të përfundoj edhe pse kontrata thotë 2021, kjo rrugë do të dorëzohet për akses sigurisht që mund të ketë gjëra të vogla që do të përmbushen në kohë por pjesa më e madhe do të dorëzohet”, u shpreh ministrja.

Ora 22:05
Ministrja Balluku 'dhuratë' qytetarëve për Vitin e Ri: Autostrada Tiranë-Durrës pa pagesë, s'do jepet me koncesion (VIDEO)

Teksa një sërë rrugësh janë dhënë me koncesion dhe janë kthyer me pagesë por duke iu ofruar qytetarëve edhe rrugë alternative, autostrada Tiranë-Durrës nuk do të ketë këtë fat. Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku tha për Report TV se kjo rrugë nuk do të zgjerohet pasi do të humbas trafikun e krijuar pas ndërtimit të korridorit Blu.

“Ne nuk kemi një projekt për zgjerimin e autostradës Tiranë-Durrës pasi të gjitha studimet tregojnë se në momentin e  ndërtimit të segmentit Milot-Fier, apo më saktë të ndërtimit të korridorit Blu nga Muriqani në Kakavijë autostrada Tiranë-Durrës do të humbë sasinë e trafikut që ka pasi do të ketë vetëm një destinacion, pra nga Tirana në Durrës dhe anasjelltas, pra nuk do të ketë më rëndësinë nacionale që sot ka. Deri në momentin kur i gjithë trafiku shkonte nga Durrësi sigurisht autostrada kishte super ngarkesë, dhe i gjithë trafiku nga veriu në jug kalonte përmes një dalje jo natyrale nga rrjedha sepse rrjedha kërkon që të dalësh poshtë dhe jo të dalësh në perëndim të ultësirës perëndimore dhe shkonte në Durrës për të aksesuar jugun. Me hapjen e autostradës Tiranë-Elbasan ne pamë që një pjesë e mirë e trafikut shkoi në Elbasan. Imagjinoni kur të kemi një autostradë të mirëfilltë shpejtësie e cila do të nis nga Muriqani dhe do të jetë një hinkë e pastër e të gjitha daljeve të autostradave që ne kemi, të rrugës së Kombit dhe të gjitha të tjerat, për të mbledhur këtë trafik për ta çuar në jug ose anasjelltas nga jugu në veri. Kush është funksioni i Tiranë-Durrësit?Asnjë funksion tjetër përveçse një rrugë lidhëse përmes së cilës lidhen dy qytete shumë të rëndësishme pra portit tonë ndërkombëtar të Durrësit dhe kryeqendrës dhe ne mendojmë që sasia e korosive ashtu edhe drejtimi i saj janë të mjaftueshëm për atë lloj rrugë, mjafton që të kemi mirëmbajtje të vazhdueshme”, sqaroi ministrja Balluku.

Ideja që kjo rrugë do të zgjerohej u dha nga ministri i kohës i infrastrukturës Damian Gjiknuri, i cili pati thënë në fund të vitit 2018 se autostrada do ti jepej një privati. Më pas pasardhësja e tij Belinda Balluku në maj të vitit 2019 u shpreh se në shtator 2019 do të shpallej gara pasi po punohej për këtë projekt.

‘Ne po punojmë mbi këtë projekt dhe mendojmë që në vjeshtën e këtij viti projekti të shpallet për garë dhe më pas të kemi një garë transparente midis investitorëve për të qenë fituesi i radhës ai që do të zgjidhet nga gara. Më pas të fillojmë punimet, pra jo që në shtator të këtij viti do të fillojë kalimi me pagesë në Tiranë-Durrës”, pati deklaruar ministrja në një deklaratë për mediat.

Ky koncesion u parashikua edhe në buxhetin e vitit 2019, ku në relacion thuhej se për këtë projekt ishin parashikuar 49 miliardë lekë ose rreth 385 milion euro.

 

E.M./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Bella: 01/01/2021 09:37

    Faleminderit që na keni dhuruar edhe ajrin, detin dhe dheun ku vendosim këmbët...hajde mendjendritur hajde

    Përgjigju
  • Loni: 01/01/2021 08:23

    Para zgjedhjeve se mbrapa del problem mirmbajtja dhe kosto elart, Si mund të vësh pages për 30 km rrugë ësht pa sens .Fundja me atë taksën 24 lek për litër nafës çfar i përdorni a ja vut emrin taks qarkullimi ?

    Përgjigju
  • Ziguri: 01/01/2021 01:07

    Kjo ishte perlë...dhurate rrugen qe e kemi, tja u dime per nder qe sna e futet. Hajde tallje gërnete hajde.

    Përgjigju
  • Xha Ilo: 31/12/2020 23:44

    Hahahahahahhahahaha sa kam qesh...! Na paskan bo nder! Jua pacim borxh e jua shperblefshim tek kutia e votimit...!

    Përgjigju
  • albi: 31/12/2020 23:02

    Me llafe po beni namin.

    Përgjigju
  • Andrea: 31/12/2020 22:59

    Sa gezim i madh per ne qe Partia po na ben dhurate kaq te madhe per kte Vit te Ri. Rroft Partia, Rrofte ministria syshqipobje Balluku. Ju paçim sa malet....

    Përgjigju
  • Loran: 31/12/2020 22:42

    Uaaa car dhurate

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?