TIRANË- Ministrja e Arsimit Evis Kushi tha se pezullimi i mësimit nuk ka ardhur për “faj” të shkollave, por disa prej tyre janë mbyllur për shkak të bllokimit të rrugëve.
“Jo në të gjitha shkollat ku mësimi është pezulluar për shkak të përmbytjeve, është faji i shkollës. Disa prej këtyre shkollave janë mbyllur për shkak të rrugëve të bllokuara për të ikur në shkollë”, tha Kushi.
Duke u ndalur te protestat e pedagogëve, Kushi tha se në 8 universitete ka shkuar në 15% rritja e pagës, që përfshijë 7% nga qeveria dhe 8% nga buxheti i brendshëm i institucioneve të arsimit të lartë. Ministrja tha se vetëm 4 prej tyre nuk e kanë bërë ende.
“Në tetor me VKM kemi marrë vendimin për t’i rritur deri në 15%, 7% nga buxheti i shtetit dhje 8% nga Universiteti nga të ardhurat e tyre, 8 institucione të arsimit të lartë tashmë e kanë bërë realiteti për 8% nga të ardhurat e tyre dhe 4 të tjera, po bëjnë analizën e të ardhurave dhe Brenda këtij muaji do kenë vendimmarrje”, shtoi Kushi.
Për Kushin, Ministria e Arsimit ka disa programe dhe politika të mira që të rinjtë të studiojnë në Shqipëri dhe jo të largohen jashtë vendit.
“Kemi politika që t’i mbajmë të rinjtë dhe të studiojnë në Shqipëri. Kemi 15 programe të reja studimi me universitetet më të mira Europiane.
Një tjetër pikë ku u ndal ministrja ishte edhe fakti që degët e mësuesisë janë gjithnjë e më pak të preferuara. Kjo, tha ministrja, nuk është një problem vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon, megjithatë shtoi se deri më tani pasojat nuk janë ndjerë, pasi në Portalin e mësuesve, ka një numër të lartë të të rinjve që kanë aplikuar.
“Është problem kudo, gjithnjë e më pak të rinjtë dhe të reja preferojnë degët e mësuesit, por akoma nuk e kemi ndjerë në sistem, ndërkohë që vendet e tjera po. Ne i kemi portalet po dhe për një periudhë të gjatë nuk do kemi probleme për të plotësuar nevojat tona, por duhet të shikojmë më tej dhe prandaj kemi këto programe”, tha Kushi.
Ajo dha dhe lajmin se janë hapur doktoraturat, duke thënë se ato do të jenë më cilësore e nuk do të blihen si më parë.
“Hapëm doktoraturat, në fillim ishte për shkak të kaosit që ishte krijuar, një profesor udhëhiqte 20 doktorantë, pjesa më e madhe e atyre doktoraturave kanë qenë jo cilësore dhe kanë prishur tregun, duhej një periudhë qetësimi dhe tani i kemi hapur dhe riformatuar për të qenë në përputhje me arsimin e lartë dhe vizioni ynë është që të ruajmë cilësinë, të mos kthehemi në situatën kur shitej doktoratura”, tha ministrja.
20 shkolla në veri të vendit kanë pezulluar mësimin, për shkak të situatës së krijuar nga përmbytjet teksa nuk ka një vendim se si do të vijojë procesi mësimor në ditët në vijim.