Kriza për mësues, Ministria e Arsimit ‘i falet’ profesioneve alternative! Udhëzimi i ri, zgjerohen mundësitë për aplikim të mësuesve

17 Shkurt 2023, 15:47| Përditesimi: 17 Shkurt 2023, 17:03

  • Share

Nga shtatori i vitit 2023 të diplomuarit në një fushë të ngjashme ose të përafërt me fushën e mësuesisë, si inxhinieri, ekonomi, arte, gjuhësi, përkthim, etj. do të kenë mundësi që të ushtrojnë profesionin e mësuesit.

Kushti i vetëm për ta është kryerja formimit të nevojshëm psiko-pedagogjik, i cili do të mundësohet nga fakultetet e edukimit në institucionet e arsimit të lartë.

'Prej vitesh në sistemin arsimor parauniversitar, disa lëndë si: Ekonomi, Informatikë, Arte, Filozofi, Teknologji, jepeshin nga mësues të profileve të tjera ose nga profesionistë të këtyre fushave që nuk ishin diplomuar në fushën e mësuesisë, e të cilëve u mungonte formimi i nevojshëm pedagogjik e metodik.  Prandaj ne, duke patur objektiv primar interesin e nxënësve dhe të drejtën e tyre për mësimdhënie në nivele të larta shkencore dhe psiko-pedagogjike, kemi hartuar dhe miratuar një udhëzim të ri, i cili mundëson që profesionin e mësuesit ta ushtrojnë profesionistë të diplomuar në fusha të ndryshme, si inxhinieri, ekonomi, arte, gjuhësi, përkthim, etj., por pasi të kenë kryer formimin e nevojshëm psiko-pedagogjik, i cili do të mundësohet nga fakultetet e edukimit në institucionet e arsimit të lartë.

Ftoj të gjitha universitetet që, bazuar në këtë udhëzim, të paraqesin sa më shpejt aplikimet për miratimin e programeve të nevojshme, për t'u dhënë mundësi të interesuarve që të regjistrohen që në vitin e ri akademik 2023-2024. Së shpejti do të organizojmë edhe një takim me përfaqësues të universiteteve për t’i udhëzuar dhe mbështetur sa më shumë në hartimin dhe miratimin e programeve të reja.'- tha Kushi.

Në udhëzimin nr 3 të ministrisë së arsimit  të datës 15 shkurt sqarohet se program i formimit të nevojshëm psiko-pedagogjik ofrohen nga institucionet e arsimit të lartë që kanë programe studimi të ciklit të pare dhe të dytë në fushën e mësuesisë. Programet organizohen me jo më pak se 30 kredite dhe me një kohëzgjatje normale një semester.

Nga shtatori 2023 e në vazhdim, ata që do të preferojnë, do të aplikojnë për tu bërë pjesë e programit në universitete dhe në përfundim kanë të drejtë të konkurrojnë për mësues .

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?