Ministrja e Financave takim me FMN! Në fokus rimëkëmbja e ekonomisë dhe heqja e TVSH-së dhe tatim-fitimit për biznesin e vogël

1 Korrik 2020, 19:14| Përditesimi: 1 Korrik 2020, 19:16

  • Share

Ministria e Financave dhe Ekonomisë nis konsultimet me FMN-në për dy nismat kryesore të qeverisë heqja e TVSH-së dhe e tatim fitimit, si dhe rishikimi për herë të tretë i buxhetit të shtetit. Gjatë takimit online të zhvilluar Ministrja e Ekonomisë Anila Denaj ka thënë se të ndikuar edhe nga situata e pandemisë këto përjashtime janë të nevojshme. Ndërsa sipas informacioneve FMN, ka shprehur rezervat e saj për heqjen e TVSH-së pasi sipas saj është një hap që duhet studiuar me kujdes.

Deri më tani është zyrtarizuar fakti që pragu i ri i TVSH-së do të jetë deri në 10 milionë lekë. Këtu ndahet edhe fasha e biznesit të vogël që praktikisht nuk paguan këtë tatim dhe biznesi i madh.

Ndërkohë edhe më herët FMN ka kritikuar fort krijimin e fashave pasi sipas tyre lë hapësira për evazion fiskal.

Po ashtu në takimin virtual është folur edhe për zhvillimet makroekonomike e fiskale, efektet e tërmetit të vitit të kaluar,  si dhe ato të pandemisë globale të COVID-19. Të dy ekipet ndanë mendimet për efektin e pandemisë në ekonominë shqiptare për vitin 2020 dhe rritjen e ekonomisë për vitin 2021.

Ministrja Denaj tha se me rishikimin e buxhetit do të rritet edhe deficiti buxhetor.

“Rishikimi i Buxhetit të vitit 2020, pas pandemisë do të kërkojë zgjerim të hapësirave fiskale, me një rritje të mëtejshme të deficitit buxhetor, duke mundësuar jo vetëm vazhdimësi të Projekteve prioritare që gjenerojnë punësim dhe rritje të ekonomisë, por edhe Projektet e Rindërtimit” theksoi Denaj.

Rritja e deficitit është pranuar edhe nga FMN, e cila pranoi edhe nevojën për të rritur deficitin përgjatë vitit, si përgjigje për situatën ekonomike të vendit por edhe atë botërore.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?