Ministrja e Jashtme e Danimarkës Marie Bjerre

Kosova & Rajoni

Ministrja e Jashtme daneze në Samitin e BE-së-Ballkani Perëndimor: Mali i Zi dhe Shqipëria janë në ballë të reformave

1 Korrik, 15:35| Përditesimi: 1 Korrik, 15:47

  • Share

1751377584_wafaggaga.JPG

Danimarka, e cila sot merr presidencën rotative të Këshillit të Bashkimit Evropian, ka shpallur se zgjerimi i BE-së do të jetë një nga prioritetet e saj kryesore, si pjesë e një strategjie më të gjerë për forcimin e Unionit dhe sigurisë së tij. Në një intervistë për RTS, ministrja daneze për Çështjet Evropiane, Marie Bjerre, thotë se e mbështet hapjen e Klasterit 3 në negociatat me Serbinë, por thekson se Serbia aktualisht po mbetet pas vendeve të tjera kandidate në zbatimin e reformave dhe në përafrimin me politikën e jashtme të BE-së ndaj Rusisë.

"Fatkeqësisht, përparimi në reforma në Serbi është mjaft i ngadaltë krahasuar me vendet e tjera. Shpresojmë se do të mund të hapim Klasterin 3, por duhet të shohim më shumë rezultate sesa deri tani", tha Marie Bjerre.

Ministrja theksoi se, në rrethanat aktuale gjeopolitike, përafrimi me politikën e jashtme të BE-së ndaj Rusisë është jashtëzakonisht i rëndësishëm, dhe se një përputhje 100% do të ishte një sinjal i qartë i përkushtimit të Serbisë ndaj anëtarësimit në BE. Ajo shtoi se mesazhi i presidencës daneze për Beogradin është – dyert e BE-së mbeten të hapura, por përparimi do të matet me reforma konkrete dhe me përkushtim të qartë ndaj vlerave dhe politikave evropiane.

"Zgjerimi do të jetë një nga prioritetet tona kryesore. Në një botë që po ndryshon, me agresionin e Rusisë në Ukrainë dhe pasigurinë rreth marrëdhënieve transatlantike, një Bashkim Evropian më i madh do të thotë një Bashkim Evropian më i fortë", theksoi Marie Bjerre.

Sipas vlerësimit të saj, Rusia nuk po zhvillon luftë vetëm në Ukrainë, por edhe përmes manipulimeve, dezinformatave dhe presionit politik mbi vendet kandidate të tjera. "Nëse duam një Evropë më të qëndrueshme dhe më të sigurt, duhet të ecim përpara me procesin e zgjerimit."

Si pjesë e përgatitjeve për presidencën, ministrja daneze ka vizituar të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Serbinë, në nëntor të vitit të kaluar.

Ajo thekson se zgjerimin e sheh përmes prizmit të sigurisë së kontinentit, dhe shpjegon se arsyet gjeopolitike e bëjnë të qartë nevojën për të ecur përpara në negociatat me vendet kandidate. "Shpresoj që gjatë presidencës sonë të mund të ndërmarrim hapat e ardhshëm drejt anëtarësimit me disa nga vendet kandidate. Sigurisht, ato duhet të tregojnë rezultate, sepse BE-ja nuk do të bëhet më e fortë nëse anëtarët e rinj nuk përmbushin kriteret themelore të sundimit të ligjit dhe demokracisë", thotë Bjerre.

Ministrja thekson se Ukraina dhe Moldavia po shënojnë përparim të madh, ndërsa në Ballkanin Perëndimor në krye të reformave janë Mali i Zi dhe Shqipëria.

Marie Bjerre thekson se, përveç vendeve kandidate, edhe vetë BE-ja duhet të jetë e përgatitur për zgjerim, por se reformat e brendshme të Unionit nuk duhet të pengojnë përparimin në negociatat e anëtarësimit.

"Reformimi i funksionimit të vetë Unionit nuk duhet të jetë pengesë për negociatat, por një proces paralel. Para nesh kemi ende shumë negociata me vendet kandidate. Duhet t’i përshpejtojmë dhe njëkohësisht të punojmë që edhe ne të jemi gati për të pranuar anëtarë të rinj", tha Bjerre.

Danimarka e mori presidencën nga Polonia dhe më 1 janar 2026 do t’ia dorëzojë atë Qipros. Vendi që kryeson BE-në organizon dhe udhëheq të gjitha takimet e Këshillit të BE-së (me përjashtim të çështjeve të jashtme) dhe mund të ndikojë në përcaktimin e çështjeve që do të kenë më shumë rëndësi në agjendën e BE-së gjatë mandatit gjashtëmujor.


Lajmi kryesor:

Samiti BE-Ballkani Perëndimor, diskutohet Plani i Rritjes! Kos: Me Shqipërinë, festojmë në vjeshtë hapjen e grupkapitullit të fundit


H.K/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Nis gjyqi për aferën Partizani, a besoni se do ketë drejtësi?