Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka, në konferencën e organizuar për sfidat e sigurisë kibernetike në Shqipëri u shpreh se fokusi kryesor i punës diplomatike për sulmet kibernetike ka qenë me SHBA-në. Sipas ministres, MEPJ do të vazhdojë ta trajtojë sigurinë kibernetike si një prioritet në çdo aspekt të punës së saj.
'Besoj që nuk e teproj kur them që sulmi i 15 korrikut ishte një nga ngjarjet më të rënda që ka përjetuar vendi ynë në dekadat e fundit. Në mënyrë krejt të paprovokuar, vendi ynë u bë objekt i një sulmi të organizuar nga një aktor shtetëror. Jo nga ndonjë aktor shtetëror çfarëdo, por nga Irani, një fuqi e madhe me një CV të pasur sulmesh të organizuara e sponsorizuara qoftë në Lindjen e Mesme por edhe më gjerë. Një vend, që është identifikuar tashmë si autori i kushedi sa sulmeve me dronë e raketa në Lindjen e Mesme, ku spikasin padyshim sulmet kundër vendeve mike me Shqipërinë në Gjirin Persik apo rrëmbimet e anijeve, sponsorizimet e sulmeve terroriste, etj. Ishte një vendim i padëshiruar nga ne, por që besoj që i bën nder Shqipërisë, fakti që pas këtij sulmi ne shkëputëm marrëdhëniet diplomatike me Iranin. Siç e thashë, sulmi ishte krejtësisht i paprovokuar. Askush nuk e priste një sulm të këtyre përmasave e aq me pak nje sulm te organizuar nga një aktor shtetëror. Kolegët e AKSHIT e AKCESKUT më kanë treguar më pas, që sistemet tona qeveritare, infrastruktura jonë digjitale i nënshtrohet çdo ditë – cdo ditë – një numri të jashtëzakonshëm sulmesh kibernetike nga individë e organizata kriminale, por këto sulme nuk ia kishin dalë kurrë të komprementonin këto sisteme.
Ajo që ndodhi në 15 korrik ishte dicka e një magnitude e shkalle krejtësisht të re sigurisht. Ky ishte një sulm të cilit nuk do t’i kishin rezistuar dot më mirë as vende me shumë më tepër eksperiencë, me kapacitete shumë më të mëdha, e me risurse financiare shumë herë më të mëdha sesa tonat.
15 korriku ishte një akt agresioni shtetëror të paprovokuar kundër një vendi të pavarur e sovran. Nuk u sulmuam me raketa e me dronë e eksplozivë dhe nuk pati ndërtesa të shkatërruara e të vrarë nëpër rrugë, kjo eshte e vertete. U sulmuam me kode e tastiera por nëse sulmi do të kishte qenë i suksesshëm në nivelin e parashikuar nga autorët e tij, do të kishin shkaktuar në infrastrukturën tonë digjitale dhe në infrastrukturën tonë të shërbimeve një dëm po aq të madh sa kanë shkaktuar në qytetet e Ukrainës raketat e bombat ruse. Pasojat per qytetaret shqiptare do te kishin qene te jashtezakonshme.
Ky nuk është një ekzagjerim, pasi Shqipëria ështe sot një vend, që ofron 95% të shërbimeve online dhe nëse ky sulm do të kishte qenë i suksesshëm aftësia jonë për të ofruar shërbimet do të ishte kompromentuar shumë. Akoma më shumë do të ishte kompromentuar besimi i qytetarëve tek këto sisteme duke i dhënë kështu një goditje të rëndë njërës prej reformave më të rëndësishme të qeverise sone. Nje reforme qe jo vetëm që ka rritur standardin e shërbimeve por ka rritur edhe transparencën, ka shmangur sportelet, duke dhënë një kontribut të ndjeshëm në luftën kundër korrupsionit.
Sa më sipër, janë disa nga argumentet kryesore që kemi diskutuar gjatë këtyre muajve me të gjithë partnerët dhe aleatët, qoftë në NATO, në BE, por edhe më gjerë, ku do të veçoja me mirënjohje sidomos Izraelin e Emiratet e Bashkuara Arabe me të cilat sot kemi një bashkëpunim vërtet të dobishëm në fushën e sigurisë kibernetike. E vërteta është që asnjë vend në botë, nuk është sot i aftë të përballojë i vetëm sfidat e sigurisë kibernetike. Këto sulme, fatkeqësisht janë bërë sot një pjesë thelbesore e strategjisë së luftës hibride që përdorin vende si Irani, Rusia, Koreja e Veriut etj, në përballjen me Perëndimin dhe familjen e kombeve demokratike ku ben pjese edhe Shqiperia. Dhe në kontekstin e luftës në Ukrainë dhe të pasojave që ka prodhuar ajo për arkitekturën e sigurisë dhe sistemin ndërkombëtar të bazuar tek rregullat, kemi çdo arsye të mendojmë që sulmet kibernetike vetëm sa do të shpeshtohen.
Për fat të mirë nuk jemi vetem. Ky është një vlerësim e nje shqetesim që e ndajnë të gjithë aleatët e partnerët. Si kurrë më parë, çështja e sulmeve kibernetike, apo më saktë, e nevojës për të ngritur kapacitete mbrojtëse ndaj këtyre sulmeve po bëhet më qendrore në çdo organizatë ndërkombëtare ku ne bëjmë pjesë, duke filluar nga NATO e BE deri tek OSBE apo Kombet e Bashkuara.
Gjatë këtyre muajve, Shqipëria e ka trajtuar këtë çështje në çdonjërin prej këtyre forumeve. Sot mund të ndaj me kolegët lajmin që në vitin e dytë të mandatit tonë në Këshillin e Sigurimit siguria kibernetike do të jetë një nga temat kryesore që do të trajtohen për të gjeneruar mbështetje e bashkëpunim me sa më shumë vende.
E padyshim, në çdo angazhim tonin me BE dhe NATO, por edhe në angazhimet bilaterale, siguria kibernetike, nevoja për ta trajtuar këtë çështje si një çështje të sigurisë tonë kolektive e për të mbështetur të gjithë vendet aleate, është kthyer sot në një kryefjalë të punës tonë diplomatike. Bashkimi Evropian për shembull, po luan një rol kyç në krijimin e strategjive të përshtatshme të sigurisë kibernetike, politikave dhe legjislacionit në modelin e ENISA (Agjencia e BE-së për Sigurinë Kibernetike) apo me asistencë teknike dhe ekspertizë përfshirë vendet kandidate në BE si Shqipëria. Një zhvillim konkret në rajonin tonë, është ngritja e Qendrës për Rritjen e Kapaciteve Kibernetike në Ballkanin Perëndimor të ngritur në Podgoricë me mbështetjen e Francës dhe Sllovenisë e cila përveç trajnimit të operatorëve dhe ekspertëve nga i gjithë rajoni, do të synojë të forcojë kapacitetet reaguese operacionale dhe institucionale të qeverive të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Por padyshim, fokusi kryesor i punës tonë diplomatike përsa i përket përballimit të sfidave të sigurisë kibernetike ka qenë me aleatin dhe partnerin tonë strategjik, Shetet e Bashkuara te Amerikes të cilat na u gjendën pranë me kapacitete e mbështetje që në momentet e para të sulmit të 15 korrikut.
Çështja e sigurisë kibernetike dhe të mbështetjes së Shteteve të Bashkuara për Shqipërinë si një aleat dhe partner i besueshëm, ishte një nga pikat kryesore të diskutimit gjatë dialogut strategjik që ne zhvilluam në Uashington në tetor. Ne kemi diskutuar tashmë hapur e pa doreza me SHBA për nevojën e madhe që kemi për mbështetje qoftë përsa i përket përballimit të fazës emergjente të sulmit, qoftë përsa i përket ngritjes së kapaciteteve dhe infrastrukturës së nevojshme që do t’i lejonte Shqipërisë të përballonte akoma më mirë sulme të tilla në të ardhmen.
Unë jam e inkurajuar që Shtetet e Bashkuara e kuptojnë nevojën për ta mbështetur Shqipërinë dhe kanë gatishmërinë për ta mbështetur Shqipërinë jo thjesht sepse Shqipëria është një aleat e partner i besueshëm, por edhe sepse kjo ne fakt eshte nje sfide e perbashket dhe nje kercenim per sigurine e te gjitheve ne. Prandaj besoj qe ne muajt ne vijim bashkepunimi yne me SHBA ne kete fushe do pershpejtohet duke prodhuar rezultate konkrete.Unë jam shumë e kënaqur nga bashkëpunimi që kemi pasur me të gjithë kolegët në këtë përpjekje të përbashkët. MEPJ do të vazhdojë ta trajtojë sigurinë kibernetike si një prioritet në çdo aspekt të punës së saj dhe nuk kam asnjë dyshim, që duke punuar ngushtë së bashku ashtu siç kemi bërë gjatë këtyre muajve, do të arrijmë t’i sigurojmë vendit kapacitetet dhe infrastrukturën e nevojshme për të përballuar sfidat e sigurisë të një epoke vërtet shumë të pasigurt për rajonin, Europën dhe mbarë botën.'- u shpreh ministrja.
Lajmi kryesor:
Siguri ndaj hakerave/ SHBA dhe BE: Japim 70 mln dollarë në mbështetje të mbrojtjes kibernetike! Çuçi: Kemi barrën e madhe për të garantuar të dhënat
M.Q.//ReportTv.al