Ministrja e Jashtme Annalena Baerbock (Aleanca 90/Të Gjelbërit) është shprehur për përgjegjësi ndërkombëtare për Rripin e Gazës pas përfundimit të luftës aktuale midis Hamasit terrorist dhe Izraelit.
Në një intervistë për DW-TV ministrja e Jashtme, Baerbock tha se nuk do të ketë zgjidhje të lehta për këtë konflikt jashtëzakonisht të vështirë.
Politikanja e Partisë së Gjelbër shtoi: "Për të garantuar sigurinë, nevojitet përgjegjësi ndërkombëtare."
"Ne e dimë këtë nga përvoja me luftërat e tmerrshme në Ballkanin Perëndimor në Evropë. Edhe aty Bashkësia Ndërkombëtare mori përgjegjësi mbrojtëse. Sepse në këtë situatë, ku kanë ndodhur krimet më të rënda, aktorët në rajon thjesht nuk kanë më besim te njëri-tjetri. Unë e shoh këtë edhe atje."
Në takimin e ministrave të jashtëm të G7 në Tokio, dy javë më parë, Baerbock, e mbështetur nga Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se nuk duhet të ketë sërish një pushtim të Rripit të Gazës nga Izraeli.
Baerbock tha se Gjermania me partnerët ndërkombëtarë, amerikanët dhe shumë përfaqësues të vendeve arabe po përpiqen të bëjnë gjithçka që munden për të siguruar që njerëzit në Gaza të kenë vende të sigurta ku mund të furnizohen me ujë të pijshëm dhe ilaçe.
"Ky ishte gjithashtu shqetësimi im kur isha në Izrael e ku ia bëra të qartë qeverisë izraelite: Njerëzit në Gaza duhet të mbrohen, lufta është kundër një organizate terroriste, Hamasit, e cila dëshiron të shkatërrojë Izraelin, dhe jo kundër popullatës civile në Gaza, jo kundër njerzve të pafajshëm, jo kundër grave dhe fëmijëve, palestinezëve të pafajshëm”,- tha Baerbock./ DW