Ministrja gjermane e Evropës, Anna Lührmann

Ministrja gjermane për Europën viziton sot Maqedoninë e Veriut, nesër Tiranën: Gjermania pro negociatave, hapini menjëherë

16 Janar 2022, 22:24| Përditesimi: 17 Janar 2022, 09:21

  • Share

Ministrja gjermane e Europës, Anna Lührmann, viziton për herë të parë Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Siç bëhet e ditur nga një njoftim të ministrisë së jashtme gjermane, politikania e gjelbër do të takohet të hënën në Shkup me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Perandovski, kryeministrin e emëruar, Dimitar Kovaçevski (LSDM), zëvendëskryeministrin e emëruar, Bojan Mariçiç, ministrin e jashtëm, Bujar Osmani (BDI), si edhe me përfaqësues të shoqërisë civile. Në Shqipëri, ministrja e re gjermane do të takohet të martën me kryeministrin Edi Rama (PS) dhe me zëvendësministren e jashtme, Megi Fino. Veç përfaqësuesve të shoqërisë civile, ministrja do të takohet edhe me Albert Hanin, kryetarin e Byrosë Rajonale të Bashkëpunimit Rinor (RYCO).

Vijimësi me fokus të ri

Në qendër të bisedimeve do të jetë integrimi i Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në rajon si edhe reformat e brendshme. Sipas një deklarate të ministrisë së jashtme gjermane, Lührmann u shpreh para nisjes për çeljen e negociatave: "Të dyja vendet i kanë plotësuar kushtet, prandaj duhet të fillojnë menjëherë konferencat ndërqeveritare. Ne e mbajmë fjalën. Për vijimin e rrugës drejt BE-së mbetet vendimtare që të vijojnë reformat dhe mirëqeverisja", citohet në njoftimin e lartpërmendur të ketë thënë ministrja të dielën (16.01.) në mbrëmje në Berlin. Në Tiranë, ministrja gjermane do të bisedojë edhe për rolin e Shqipërisë si anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Lührmann mbetet kështu tërësisht në vijën e paraardhësit të saj, Michael Roth, nga Partia Socialdemokrate, i cili tashmë është kryetar i Komisionit Parlamentar për çështje të Bashkimit Evropian, Roth ia dorëzoi postin Lührmann-it, pas formimit të koalicionit të ri, kur ministria e jashtme gjermane kaloi në dorë të të Gjelbërve.

Ashtu sikurse paraardhësi i saj, edhe Lührmann pritet të jetë avokate e fortë e rajonit në BE, por edhe të adresojë në biseda dypalëshe problemet e mundshme. Një nga çështjet që do të jetë temë e bisedimeve me shoqërinë civile në Tiranë është mbrojtja e klimës, i thanë DË burime të Ministrisë së Punëve të jashtme të Gjermanisë.

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë dy vendet e para, pas Francës në dhjetor, që ministrja gjermane e Evropës i viziton që kur ka ardhur në detyrë në dhjetor të vitit të kaluar. Një dëshmi kjo, që qeveria e re mes të gjelbërve, socialdemokratëve dhe liberalëve, sikurse e ka shprehur dhe në marrëveshjen e koalicionit, e merr seriozisht perspektivën evropiane të rajonit.Qysh në pjesëmarrjen e saj të parë në takimin e rregullt të Këshillit të Ministrave të Evropës, që u mbajt në 14 dhjetor në Bruksel, Lührmann kërkoi fillimin e konferencave ndërqeveritare me dy vendet.

Politikë që në moshën 10-vjeçare

Anna Lührmann është 38 vjeçe dhe emërimi i saj në postin e Ministres së Evropës, një post ky pa portofol, ishte vendim i ministres së jashtme Annalena Baerbock. Më parë ajo ishte profesore në Gëteborg, por politikën e ka nisur qysh në moshë të re. Në vitin 2002, në moshën 19-vjeçare, ajo ka qenë deputetja më e re në moshë e Bundestag-ut Gjerman. Në një intervistë të asaj periudha ajo kishte thënë se kishte marrë pjesë në diskutime politike qysh në moshën 10-vjeçare.

Lührmann e ka filluar karrierën politike që në moshë të re, dhe në vitin 2002, në moshën 19 vjeçare ajo ka qenë deputetja më e re në moshë e Bundestag-ut Gjerman.

Pas dy legjislaturash të suksesshme për partinë e gjelbër, në njërën prej të cilave si anëtare e Komisionit Parlamentar për Çështje të Jashtme, në vitin 2009 ajo shkoi në Sudan, së bashku me të bijën dhe të shoqin, i cili është ambasador. Në këtë periudhë iu përkushtua më shumë karrierës shkencore, si politologe. Ndër të tjera doktoroi në Universitetin e Gëteborgut, në institutin "Varieties of Democracy" (V-Dem), ku më pas do të merrte edhe titullin profesore junior dhe docente./DW

SI.E.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Lala i Lushnjes: 17/01/2022 03:52

    Na çat menderen, duhet të fillojnë bisedimet thon të gjithë, por nuk fillojnë kurrë. Haj në bythët e gomares të shkojnë sepse isha 30-të vjeç dhe vajta 65-së duke pritur si laraska për koqet e demit.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?