Mirela Kumbaro

Politikë

Ministrja Kumbaro prezanton rezultatet e testit TALIS: Shqipëria ka arritur tregues pozitivë mbi mesataren

10 Tetor, 15:19| Përditesimi: 10 Tetor, 15:27

  • Share

1760102775_mirelakumbaro.png

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, ka prezantuar rezultatet e testit ndërkombëtar TALIS për mësuesit shqiptarë, anketim ku janë përfshirë 55 shtete.

Mësuesit shqiptarë kanë dalë me rezultate pozitive në këtë testim, duke u renditur ndër vendet e para.

Ministrja Kumbaro zbuloi se 98% e mësuesve shqiptarë kanë deklaruar që mësuesia ka qenë zgjedhja e tyre e parë.

“Është shumë kënaqësi të ndaj me ju rezultatet e anketimit ndërkombëtar Talis, anketa është realizuar falë pjesëmarrjes tuaj dhe kolegëve tuaj në gjithë vendin. Shqipëria ka arritur tregues pozitivë dhe shpeshherë edhe mbi mesataren 55 vendeve të OECD. Kemi një larmishmëri të madhe gjeografike të kontinentit.

Sipas përgjigjeve të 4029 mësuesve që kanë marrë pjesë dhe 282 drejtorëve të shkollave ky studim i kryer në gjysmën e parë të 2024 kur Ministria e Arsimit drejtohej nga kolegia Ogerta Manastirliu, dua ta falenderoj me gjithë zemër bashkë me të gjithë ju, për lidershipin dhe krijimin e një atmosfere të mirë.

Ndihemi shumë mirë kur shohim se 98% e mësuesve shqiptarë deklarohen se mësuesi ka qenë zgjedhja e tyre e parë në karrierë, ndërsa 85% e mësuesve të rinj pohojnë se e kanë zgjedhur si profesion të parë mësuesinë. Ndërkohë që mesatarja është 58%. Shumica juaj nuk janë rastësisht në këtë pozicion, në këtë profesion, por e keni zgjedhur me zemër”.

Ministrja Kumbaro bëri të ditur se deri në përfundim të mandatit, qeveria synon që në të gjitha shkollat e vendit të jenë instaluar 1000 laboratorë inteligjentë, nga 340 që janë aktualisht.

“96% e mësuesve deklarojnë se trajnimet kanë pasur ndikim real në përmirësimin e mësimdhënies. Ministria e Arsimit do vijojë të ofrojë trajnime për gjithë mësuesit.

340 laboratorë inteligjentë janë instaluar në shkolla, për t’i bërë 1000 të tillë në përfundim të këtij mandati. Një tjetër gjetje e Talis është që Shqipëria renditet e para në Europë me 80% të mësuesve deklarojnë se vendosin zhvillimin emocional të nxënësve në qendër të punës së tyre.

98% e mësuesve shqiptarë janë të kënaqur me profesionin e tyre që kanë zgjedhur, ndërsa vetëm, 3% e mësuesve përjetojnë nivelet të larta stresi, por është më i ulëti krahasuar me masataren prej 19% të vendeve të OECD. Sot 83% e mësuesve besojnë se nxënësit i vlerësojnë dhe respektojnë ata. Shumë më lart se mesatarja e vendeve të OECD. 95% e mësuesve pranojnë se shkolla i ofron stafit mundësi për të marrë pjesë aktive në vendimmarrje. Këto rezultate na tregojnë që vëmendja në arsim e gjithë këtyre viteve po japin frytet e tyre. Është puna e përditshme e reformave të 12 viteve”, u shpreh ministrja e Arsimit.

V.GJ /ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Kushtetuesja pezullon dekretin për zgjedhjet në Tiranë, si e vlerësoni?