Duke nisur nga ky vit shkollor, klasat e katërta do të përfshijnë në kurrikulat e mësimit edhe njohuritë bazë mbi inteligjencën artificiale.
Lajmin e bëri të ditur ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu nga shkolla 9-vjeçare "Isa Boletini" në Paskuqan, ku pa nga afër laboratorët smart të instaluar në këtë shkollë.
"Rreth 35 mijë fëmijë kanë mësuar si të kodojnë, por nga ana tjetër jemi duke zhvilluar kurrikulën në TIK dhe kemi miratuar këtë vit kurrikulën e re për klasat e katërta, një kurrikul e cila për herë të parë do të sjellë bazat e njohurive tek nxënësit për inteligjencën artificiale", tha Manastirliu.
Ky zhvillim vjen paralelisht edhe me investimet për laboratorët smart, ku deri në vitin 2026 do të jenë të pajisura mbi 600 shkolla në të gjithë vendin. Kjo infrastrukturë do të mundësojë zbatimin e kurrikulës së re jo vetëm në klasën e katërt, por do të ndihmojë në zhvillimin e TIK nxënësit deri në gjimnaz.
Gjatë vizitës në shkollën 9-vjeçare “Isa Boletini”, Ministrja Manastirliu tha se janë siguruar tekste falas për të gjithë nxënësit nga klasa e parë deri në të nëntën, si dhe për kategori të veçanta në shkollat e mesme, të cilët janë në vështirësi ekonomike ose sociale.
"Jemi duke punuar për shpërndarjen e teksteve falas për të gjitha nivelet e arsimit bazë, por edhe për gjimnazet ku janë 16 kategori, rreth 12.500 nxënës të gjimnazeve të cilët përfitojnë librat falas falë mbështetjes së qeverisë. Në total janë 236 mijë nxënës të cilët mbështeten përmes programit të mbështetjes së librave falas për çdo vit", tha Manastirliu.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit nënvizoi se në fokus të punës janë nxënësit dhe mësuesit, duke forcuar integrimin e teknologjisë në lëndë të ndryshme duke siguruar që nxënësit të rriten me aftësi digjitale.
Komente
