Shqiptarët në Serbi tashmë do të kenë mundësi të përdorin librat shkollorë nga Shqipëria. Ministrja e Arsimit, Besa Shahini në një status në rrjetet sociale thotë se kjo u arrit falë bashkëpunimit mes ministrisë së Arsimit shqiptar dhe Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi.
“Pas shumë vite përpjekjesh, shqiptarëve në Serbi u lejohet përdorimi i librave shkollorë nga Shqipëria. Nuk ishte e lehtë, por ia dolëm duke bashkërenduar dhe intensifikuar përpjekjet mes Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi.” – shprehet Shahini ndërsa nënvizon se ka filluar tashmë edhe financimi i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi nga fondi i MASR për tekste shkollore.
Në lidhje me këtë, ajo thekson “se besojmë fuqishëm që femijët shqiptarë në Serbi meritojnë arsim cilësor në gjuhën shqipe dhe libri shkollor është një hap i domosdoshëm në atë drejtim”.
Ndër të tjera, Ministrja Shahini nënvizon faktin se “komuniteti shqiptar atje e ka të gjithë mbështetjen e qeverisë shqiptare në çdo aspekt të zhvillimit të tij”.