Banorët e Pustecit në juglindje të vendit prej vitesh kanë gëzuar të drejtat si minoritet maqedonas.
Drafti i fundit i ministrisë së Brendshme, nuk ka shqetësuar vetëm historianët por edhe zyrtarët vendorë. Çështja e pakicave kombëtare është e mbyllur, ndaj mbledhja e 300 firmave për të shpallur minoritete të reja është absurde për Eftim Mitrevskin.
"Për mua është absurde dhe kohët e fundit unë kam lexuar një kritikë nga një profesor zoti Përparim Kapo që megjith mend kritikon edhe komisionin po edhe shtetin shqiptar. Në një shtet nuk mund të bëhet ashtu për interesa politike, nuk mund të diskutohen gjëra të paqena dhe them që megjithe mend është absurde dhe e padrejte mbledhja e firmave qe ka konjuktura të tjera politike. Ne bëjmë pjesë në Ballkanin Perëndimor shtetet tona si shteti maqedonas dhe shteti shqiptar janë në plotësimin e normave europiane dhe të futemi në familjen europiane të barabarte ashtu si jemi", tha Eftim Mitrevski, Drejtor i Marrëdhënieve me Publikun në Bashkinë e Pustecit.
Mitrevski shprehet se kjo nismë ligjore e ministrisë së brendshme është e dëmshme për interesat kombëtare.
"Për interesat kombëtare, po personalisht e shikoj të dëmshme. Nuk them të pengojmë pakicat linguiste. Është e drejta e tyre ta mësojnë gjuhen, mirëpo zyrtarizimi i gjuhës dhe komunikimi me pushtetin vendor unë them qe nuk duhet bërë për ata sepse dihet se tradicionalisht në Shqipëri ka pasur vetëm 2 pakica minoritare", u shpreh Mitrevski.
Në Bashkinë e Pustecit, banorët dhe zyrtarët vendorë shprehen të kënaqur pasi tradicionalisht kanë gëzuar të drejtën për të mësuar gjuhën amtare në shkollë. Tabelat dhe të gjitha emërtimet në bashkinë me 5 mijë banorë të Pustecit janë në dygjuhësi, shqip dhe maqedonisht.