Ministri i brendshëm Ervin Hoxha ka takuar sot Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Nicholas Abbott.
Përmes një postimi në Facebook ministri shkruan temat që ka diskutuar me Abbott.
“Zhvillova sot një bisedë miqësore dhe të frytshme me Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Nicholas Abbott, me të cilin vlerësuam lidhjet politike dhe partneritetin e fortë mes dy vendeve tona.
Duke i uruar njëri-tjetrit suksese në detyrat tona të reja shprehëm gatishmërinë e palëkundur për të thelluar bashkëpunimin në fusha me interes të përbashkët, sidomos sa u përket çështjeve të sigurisë, luftës kundër krimit të organizuar, trafikut të armëve dhe drogës, goditjen e transportit të parave dhe të migracionit të parregullt.
Vlerësuam bashkëpunimin për Dokumentin e Dialogut kundër Krimit të Organizuar (SOC Dialogue) dhe shprehëm gatishmërinë për ta vijuar koordinimin për finalizimin e tij”, shkruan ministri Hoxha.
Më tej ai thekson se kanë diskutuar edhe për bashkëpunimin për reduktimin e migracionit të paligjshëm, një nga sfidat më të vështira për të dyja vendet.
“Theksuam se, bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar për reduktimin e migracionit të paligjshëm përfaqëson një model të suksesshëm dhe e adresuam këtë dukuri të paligjshme si një prej sfidave më kritike, me të cilën përballen të dy vendet.
U dakordësuam për thellimin edhe më tej të bashkëpunimit dypalësh, në funksion të rezultateve më pozitive në të ardhmen, për t’u shërbyer akoma më shumë qytetarëve të dy vendeve tona dhe për të rritur standardet e sigurisë”, përfundon shkrimi.