Tashmë Europiani do të jetë ndryshe pa pjesëmarrjen e Shqipërisë. Kuqezinjtë u eliminuan mbrëmë ndaj Spanjës, teksa u mundën 0-1 duke e mbyllur Euro 2024 me vetëm 1 pikë, prej atij barazimi 2-2 ndaj Kroacisë në ndeshjen e dytë.
Në ‘Minuta Zero’ eksperti Albert Karriqi dhe gazetari i Report Tv, Kujtim Topuzi analizuan performancën e kuqezinjve në përfundim të europianit për kombëtaren tonë. Karriq shprehet se skuadra jonë i ka hapur probleme si Italisë, Kroacisë ashtu edhe Spanjës.
'Ekipi jonë e kreu detyrën e saj. Përveç Italisë, ekipi jonë i nxori probleme edhe Spanjës. Po ashtu edhe Kroacisë që e nxori me të meta.'
Ndërsa Topuzi vlerëson maksimalisht tifozerinë e kombëtares sonë, teksa shton se në ndeshjen e mbrëmshme meritonim një pikë.
'Mendoj se ndeshja e djeshme ka qenë ndër më të mirat që ka bërë ekipin ynë në histori. Flasim për një Spanjë që nga mënyra si luan bëhet e vështirë. Pengu im është ndeshja me Italinë. Me Italinë na trembi ai goli i minutës së parë. Tifozeria është 10 me yll, kombëtarja 9.
Shqipërisë i është vjedhur një pikë, me Spanjën e meritonte një pikë.'
Sipas Karriqit, trajneri Sylvinho ka gabuar me Armando Brojën pasi sulmuesi sipas tij duhej të luante më shumë.
'Sylvinho e shikon atë që duhet të ndodhi. Ne shohim atë që ndodh dhe bëjmë analizë. Për mua Sylvinho me Brojën gaboi. Të paktën 40 minuta duhet ti kishte marrë. Futi në terror dy qëndrmbrojtës. Por edhe nje mesfushor e hoqi nga faza e organizimit dhe gjithë ekipi spanjoll nuk po dilte në sulm dot. Trajner duhet të jetë si Jurgen Klopp, që flet ngadalë dhe jep pozitivitet tjetrit.'
Ndërsa Topuzi pëlqen tek kombëtarja performancën në ngjitje nga ndeshja në ndeshje.
'Ajo që më pëlqeu nga Sylvinho që kombëtarja erdhi në ngjitje. E para la për të dëshiruar, e dyta e mirë, e treta shumë më e mirë.'
Më tej Karriqi, thekson se Sylvinho duhej të shfrytëzonte rezervat në pankinë.
'Trajneri ku i kishte rezervat? Ato rezerva që kishte nuk i shfrytëzoi siç duhet. Mos të dali në fund që paska pas shumë rezerva.'