E gjithë Partia Demokratike që mbështet Sali Berishën, përfshirë mediat që i rrinë nga pas, janë mobilizuar këto orë që të sulmojnë, mpakin dhe të fusin në kanale konspirative vendimin zyrtar të Britanisë së Madhe për ta shpallur non grata ish-kryeministrin shqiptar.
Papritur Xhorxh Sorosi, njeriu i urryer që dikur rrëzoi paundin britanik në bursa, na del se paska influencë të madhe edhe në Londër, papritur rishfaqen edhe gabimet e pretenduara të shërbimeve britanike në luftën e Irakut, ashtu siç shfaqet edhe fantazma e Toni Blerit, këshilltarit të Ramës, të cilit ju dëgjoka fjala edhe në qeverinë konservatore, një palë politike që në fakt nuk e sheh dot me sy ish-kreun e laburistëve. Të gjitha këto elemente në dukje pa lidhje janë vënë bashkë për të thënë se ‘anglezët po ja fusin kot me Berishën’!
Gjithçka negative dhe e gabuar në adresë të britanikëve, shtetit dhe institucioneve të tyre, po vlen këto orë për të ndërtuar një teoremë të re justifikimi për Sali Berishën, duke e paraqitur perandorinë më të madhe të historisë moderne, Mbretërinë e Bashkuar, si një shtet afrikan që e merr për hunde Amerika dhe që nuk di asgjë nga ato që ndodhin nëpër botë. Dhe çuditërisht të gjitha këto të vërteta i dinë vetëm një dyzinë deputetësh dhe gazetarësh në Tiranë, që kanë marrë për mision t’u thonë shqiptarëve se skedimi i Berishës nga britanikët është një procedurë burokratike e gabuar, tendencioze dhe pa asnjë vlerë.
Në këtë shfrenim emocionesh irracionale dhe reagimesh absurde, shumëkush harron se Berisha është shpallur non grata nga Britania e Madhe, e jo nga ishujt Solomon, harron gjithashtu edhe se prej kohësh ambasadat evropiane në Tiranë, përveç asaj amerikane, e kanë mënjanuar zyrtarisht nga protokolli Doktorin, duke dhënë mesazhe të hapura se qeveritë e tyre nuk duan të kenë punë me kreun e ri të PD. Më në fund, të gjithë ata që bëjnë sikur shpërfillin sot vendimin e Londrës zyrtare, së pari i bëjnë një shërbim të keq publik imazhit të vetë Sali Berishës në opinionin publik shqiptar, e së dyti dëshmojnë edhe një herë atë që dihej botërisht pasi Berisha shkeli në zyrën e kreut të PD: që kjo parti do të harxhonte pafund kohë, energji dhe nerva duke u marrë më fatin personal të Doktorit, e jo me opozitën ndaj qeverisë së Edi Ramës.
Ajo që ka ndodhur orët e fundit me Berishën është një mesazh i qartë i Perëndimit se nuk mund të pranojnë që e vjetra të rikthehet kaq sfidueshëm në krye të një vendi që është ndër më properëndimorët në Evropën Lindore. Nuk mund të pranojnë që përpjekjet për largimin e elitës së vjetër drejtuese, të sfidohen kaq hapur nga më i vjetri i të gjithë politikanëve shqiptarë.
Rikthimi i Berishës në politikën aktive ka bllokuar procesin edhe ashtu të ndrojtur e të vështirë të ripërtëritjes së elitës politike shqiptare. Në anën tjetër, teksa shohin letrën zyrtare të Britanisë së Madhe që i thotë “ndal” Berishës, demokratët që e morën me lehtësi dhe naivitet sfidën ndaj Shteteve të Bashkuara, kanë rastin të kuptojnë se nuk mjafton një kongres në stadium dhe një dyzinë takimesh populiste nëpër Shqipëri, që të heqësh damkën amerikane nga shpina. Aq më keq kur përveç shpinës së liderit, vendos t’ja hedhësh këtë barrë edhe kurrizit të partisë, një gabim taktik që PD, e jo vetëm Berisha, do ta vuajnë së bashku edhe në të ardhmen.
Vendimi që Partia Demokratike që sot identifikohet me Berishën ka marrë për të bashkuar fatin e saj me atë të personit që e drejton, përbën një lojë të rrezikshme bixhozi që mund të ketë kosto të pallogaritshme politike e elektorale për të gjithë opozitën shqiptare. Lajmet e fundit nga Londra provojnë se nëse deri dje demokratët vegjetonin nën lidershipin anemik të Bashës, sot ju duhet të bashkohen me kreun e ri të partisë në luftë kundër simboleve më të fuqishme të Perëndimit, Amerikës e Britanisë së Madhe. Ky është një aberracion që PD e ka të vështirë ta përtypë dhe ta justifikojë sot, kur partia ka hyrë në kurs anti-perëndimor dhe kur aleatët e djeshëm amerikanë e britanikë po konsiderohen si ca lolo që i merr për hunde një miliarder 87 vjeçar dhe një kryeministër ballkanik i një vendi që mezi shuan edhe zjarret e verës në ullishtet e Vlorës. PD vendosi të rreshtohet pas një halli personal të cilin sot kupton se e ka kthyer në hall zyrtar. Gabim trashanik dhe i pakthyeshëm.