Opinion

Minxhozi: Luftoni për rotacionin, mos gënjeni për ndryshimin

16 Prill 2021, 19:08| Përditesimi: 16 Prill 2021, 19:10

  • Share

Një karvan laraman fanfarash endet këto ditë nëpër Shqipëri duke ju ofruar njerëzve pak a shumë atë që komediani brilant Roberto Beninji tregonte dikur për fushatat e Silvio Berluskonit: “është aq i dëshpëruar Kavaljeri (Berluskoni), thoshte Benjini, sa po i premton italianëve edhe që do t’u nxjerrë xhiro qenin, do t’u ulë taksat, që do t’jua heqë fare, që do t’u derdhë plerat apo që do të bëjë seks me gjyshet e tyre”. Këto batuta komike kanë bërë historinë e satirës politike në Itali, por morali i tyre vlen edhe për të tjera realitete.

Vlen për shembull për fanfarën e gëzueshme të opozitës shqiptare, që i ka hipur makinave të fushatës dhe ka çarë për së gjëri thesin e premtimeve nëpër Shqipëri. Po hedh aq shumë mish në zgarë, sa edhe vetë i zoti, Lulzim Basha, e ka të vështirë të orientohet se ç’ka premtuar në Lezhë, Ersekë apo Sarandë. Është rasti tipik i politikanit që ka jo vetëm problem me shifrat, e kjo është ana më pak e rëndësishme e problemit, por që ka një konflikt përjetësisht të pazgjidhur me të vërtetën. Gënjen shpesh dhe në shumë drejtime. E dinë të gjithë, mbi të gjitha ata që i rrinë afër.

Në një intervistë për gazetarin Xhevdet Shehu, aktivisti i njohur amerikano-shqiptar Geri Kokalari shprehej sot se është “komike dhe e egër” që të kthehen në pushtet ata që ende nuk kanë paguar për mëkatet e së shkuarës. Duket se ky koncept i shlyerjes së listës së fajeve, para se ta kapërcesh pragun e pushtetit, ka qenë dhe mbetet shkaku bazë i riciklimit të së keqes në katet e larta të pushtetit në Shqipëri.

Sot bërtasin kundër vjedhjes së votave, ata që i kanë blerë, rrëmbyer, djegur e hedhur në lumë kutitë e votave, apo që kanë përmbysur rezultatet në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve. Sot ngrenë zërin kundër krimit e korrupsionit ata që hodhën në erë njerëz në Gërdec apo vranë me gjak të ftohtë në bulevard. Sot flasin për ndryshimin dhe integrimin ata që njëherësh na thonë se Sali Berisha është një aset i madh i partisë, se pa të nuk mund të fitohen zgjedhjet. Paradokset, rrenat e hipokrizia janë ulur këmbëkryq në dy partitë e opozitës, të cilat ofrojnë si “pionerë të ndryshimit” një tufë gërxhosh që kanë në politikë që në gjysmën e parë të viteve ’90. I keni të gjithë të mbledhur në një listë. Fati ka dashur që të paktën të mos ua lexojmë emrin, por t’i shohim si numra ditën e votimit. Një pështirosje më pak!

Opozita është një garë mëse legjitime për të fituar pushtetin. Rotacioni është dukuria më normale dhe shumë shpesh më pozitive e një sistemi demokratik. Është e kuptueshme se  kryefjala e çdo opozite që kërkon rrëzimin e qeverisë, është termi “ndryshim”. Abuzohet në ekstrem me të, lakohet, aktrohet e përdridhet nga gojët e gjithfarë akrobatësh e magjistarësh me stema partish në jakën e xhaketës. Kjo është edhe ajo që po ndodh me fushatën aktuale shqiptare.

Në Tiranë po luftohet për pushtetin, për rotacionin. Por jo për ndryshimin. Ndryshim me baballarët e Gërdecit, 21 janarit, vjedhjes së zgjedhjeve të Tiranës apo qindra miliona eurove koncesione e korrupsion – s’mund të ketë. Rotacion po, ndryshim jo! Verini diçiturën e duhur fushatës, mos gënjeni!

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?