Molotovi në selinë e PS gjatë protestës së 7 tetorit

Minxhozi: Po shembin shtëpinë e vet, jo të Ramës

16 Tetor, 14:32| Përditesimi: 16 Tetor, 14:35

  • Share

Nëse ka një skenar që një forcë e madhe politike në opozitë duhet të evitojë teksa i drejtohet zgjedhjeve, pas 12 vitesh qëndrimi në opozitë, është pikërisht ky që po shohim të shpaloset këto muajt e fundit në Tiranë: kryetari i opozitës ndodhet i mbyllur në katin e tetë të një pallati në arrest shtëpie, aleati i tij kryesor endet rrugëve të Shqipërisë duke anatemuar prokurorët që po shkojnë në qilizëm pasurinë e tij, vetë partia më e madhe e opozitës e sheh veten të djegë karriget e Parlamentit dhe të shpenzojë thuajse të gjitha energjitë për të liruar shefin politik nga arresti shtëpiak, më shumë sesa që t’i bëjë radiografinë qeverisjes. Si të mos mjaftojë kjo, në horizont shfaqen kërcënuese një gjysëm duzine partish e lëvizjesh të reja politike, të cilat thuajse të gjitha synojnë vota opozitare, duke prodhuar një thërmim fatal për panelin opozitar. Ndërkohë, kundërshtari politik në krye të qeverisë hap i kënaqur librin e kapitujve të negociatave tashmë të hapura, në një foto familjare në Luksemburg, e cila duket sikur të thotë “e shihni ku jam tani unë dhe ku janë ata që duan të më marrin pushtetin”?!

Kjo është stuhia perfekte që do të frikësonte çdo opozitë normale. Një stuhi që duket për së largu por që viktimat e saj potenciale kanë vendosur të mos e shohin. Nuk e kthejnë kokën drejt saj edhe po t’u vendosësh armën në ballë. Kanë bërë betim me dorën në Kuran e Bibël, duke e hedhur në Lanë edhe logjikën objektive, edhe arsyen e ftohtë. Partia Demokratike e Sali Berishës ka zgjedhur me ndërgjegje të plotë të mos jetë një opozitë normale. Ka zgjedhur të mbajë një gjendje kulti dhe sekti brenda partisë, duke ndjekur nostalgjinë gjysëm të shtirur ndaj liderit historik, pa u merakosur fare se kështu po i hap rrugë një tjetër mandati në opozitë.

PD ka zgjedhur të pranojë rrjedhje dhe humbje votash nga të gjitha poret e organizmit të saj, për hir të një liste të shkurtër zyrtarësh të cilët kanë siguruar tashmë mandatin e parlamentarit deri në vitin 2029. I nxjerr gjuhën e përqesh në mënyrë naive çdo formacion të ri opozitar që shfaqet në radar, a thua se ka nja dy milion vota në thes e nuk i prishin punë disa mijëra vota që po merr Alibeaj, Kulluri, Shehaj, Qori apo Lapaj!

Ky mazokizëm i kalkuluar, ku shefi i partisë përdor partinë për halle personale, e të tjerët pas tij bien përmbys te këmbët e tij për një copë mandati deputeti, ka paravendosur fitimtarin dhe humbësin e zgjedhjeve shumë muaj para se të hapen 5000 qendrat e votimit nëpër Shqipëri. Një situatë surreale ku një formacion politik që ka udhëhequr vendin më shumë se një herë shtrëngohet t’ja nënshtrojë rezultatin elektoral dosjeve hetimore të shefit politik që kanë mbushur gazetat, e ku ku shqiptari i ngeshëm e vret kohën në kafenenë e lagjes duke marrë nëpër gojë shtëpitë e pronat e familjes Berisha në të katër anët e kontinentit. Gabim trashanik i një partie që pretendon të fitojë pas gjashtë muajsh!

Kjo e këtij viti ka qenë ditëlindja më e keqe e jetës për Sali Berishën. Vështirë se dhjetë apo njëzet vjet më parë Doktori e kishte menduar se përvjetori i 80-të i jetës do ta gjente në arrest shtëpie, armik të shpallur të Amerikës dhe në krye të një formacioni politik që bëhet gati të qëndrojë 16 vjet në opozitë. Janë që të gjitha kordinata të një dështimi të fundëm, më shumë sesa një kurorëzim me dafina i një karriere të gjatë politike, ku Berisha ka provuar gjithçka. Rënien dhe ringritjen, dashurinë dhe adhurimin, por edhe urrejtjen e shpërfilljen siç po ndodh së fundi, kur është lënë i vetëm me 50 përkrahës majë pallatit ku jeton. Ndërkohë ish-bashkëpunëtorë të tij, sot të federuar në sigla të reja politike, po e sulmojnë më shumë sesa socialistët, duke synuar t’i marrin edhe ato një thes me vota, çka mund të rezultojë fatale në përplasjet elektorale nëpër qarqe.

Përballë një qeverie të nginjur dhe të sigurt në atë që bën dhe që kërkon, kjo opozitë e thërmuar i ngjan ushtrisë së shpartalluar që kërkon të luftojë me mullinjtë e erës. Nën revanshin e Berishës që nisi në 8 janarin e sulmit mbi selinë e partisë së Bashës, e djathta është dhënë me zell pas qerimit të hesapeve brenda vetes, duke refuzuar të shohë se vendi ka një axhendë politike kombëtare, me zgjedhje dhe ndarje pushteti. Po shembin shtëpinë e vet politike, jo atë të kundërshtarit socialist. E pësuan në pranverën e vitit të shkuar këtë strategji vetëvrasëse duke marrë 7 nga 61 bashkitë në garë, po e provojnë sërish tani kur kanë vendosur mëritë mes vetes mbi fatet e përballjes me Edi Ramën në zgjedhje. Këtë sjellje s’ka manual politik që e shpjegon dhe e zbërthen. Përveç konkluzionit banal se një grusht burrash e grash po i bien pas fatit personal e po hedhin në det gjithçka tjetër!

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Ethem Lalaj: 16/10/2024 19:00

    OK,S.Minxozi.I ke shkruar 99 % të ZEZAT E SB.Po shkruaj vetëm 1 që është deklaruar këto ditë e padëgjuar në 34 vite: - Dt.15.10.24 ish drejtori KL.Partizani PARO LAÇI në REP.TV me moderator ARBËR HITAJ,deklaroi se SALI BERISHA MBANTE ME VEHTE NJË KOKËRR JESHILE(PILULË)PËR TË HELMUAR KUNDËRSHTARËT..DHE PËRMËNDI REMZI HOXHËN..! -Kjo..deklarat nga 101 poshtërsi që ka bër Sb në 33 vite.. është shumë e rëndë për Sb..ose për deklaruesin që duhet të ANGAZHOHET SPAK. -NON GEATA DUHET BËR I PADËMSHËM NË VITET QË VIJNË..I CILI KËRKON LUFTË..LIRI A VDEKJE.FLM

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?