Skuadrat shqiptare vijojnë përgatitjet intensive në prag të sfidave europiane, por rezultatet në miqësoret e fundit kanë ngritur shqetësime për formën aktuale të ekipeve.
Vllaznia u mposht thellë nga Olimpija Ljubljana me rezultatin 4-0, në një ndeshje ku shkodranët u dominuan nga minuta e parë deri në të fundit. Skuadra sllovene shënoi nga dy gola në secilën pjesë, duke përfituar edhe nga fakti që kuqeblutë luajtën me një lojtar më pak për më shumë se 30 minuta, pas ndëshkimit me karton të kuq të Artan Jazxhi për një faull të rëndë në mesfushë.
Ky ishte testi i tretë për Vllazninë në tokën sllovene, pas humbjes 5-3 ndaj Koper dhe fitores minimale 1-0 kundër UTA Arad të Rumanisë.
Edhe Dinamo e Ilir Dajës nuk ia doli të siguronte rezultat pozitiv, teksa u mposht 2-1 nga Shkëndija, në një sfidë të zhvilluar në stadiumin e Tetovës. Ndeshja nisi me ritëm dhe gola të shpejtë. Krasniqi realizoi për vendasit, ndërsa Itodo Mandela barazoi për 'Blutë'. Në pjesën e dytë një gol i Jakupit vendosi fatin e takimit, me Dinamon që nuk arriti të reagojë, ndërsa Shkëndija humbi edhe një penallti.
Komente
