Miqësorja me Arabinë Saudite, Prodani: S’i shërbeu kombëtares, por ishte për turizëm! Avioni u mbush plot me familjarë të zyrtarëve të FSHF

28 Tetor 2022, 18:35| Përditesimi: 28 Tetor 2022, 19:38

  • Share

TIRANË- Miqësorja me Arabinë Saudite, për Eduart Prodani, Kryetari i Shoqatës Rajonale të Tiranës, nuk është në shërbim të të ardhmes së kombëtares kuqezi. Në një intervistë për Report Tv, në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Arbër Hitaj, Prodani tha se kjo ndeshje është bërë për qëllime turistike, duke thënë se avioni ishte mbushur në mënyrë të ekzagjeruar me familjarë të zyrtarëve të FSHF-së. 

“Nuk përjashtohet fare të themi që dyshime që skuadra kundërshtare ka paguar Federatën për këtë ndeshje nëse janë paguar në llogarinë e Federatës të bëhen transparente, nëse jo kjo ndeshje është bërë për përfitime familje. Avioni u ekzagjerua dhe u përdor për turizëm kur u mbush me familjarë të Federatës, nuk janë në përfitim të të ardhmes së Kombëtares”, tha Prodani.

Ai është i mendimit se Federata Shqiptare e Futbollit nuk ka një strategji fikse për kombëtaren, e ndërsa thekson se është gabuar me përzgjedhjen e Edy Reja-s si trajner të kuqezinjve.

“Kush është strategjia, planet, kush ka dalë t’i sqarojë, u gabua me marrjen e Rejës, një trajner dështon dhe mbetet ende aty. Edhe këto miqësore, duhet t’i shërbente përgatitjes së një skuadër apo promovimit të lojtarëve të kampionatit shqiptar, por kjo nuk mund të ndodh me një trajner që po ikën”, shtoi ai.

Për Prodanin, futbolli në Shqipëri është “një mall pa Zot, ose që ka një pronar”, pra nuk është në të mirë të ndjekësve të futbollit. Ai është i mendimit që futbolli në Shqipëri është keqmenaxhuar.

“Futbolli jonë menaxhohet shumë keq, kampionati duhet të fitojë besueshmërinë dhe integriteti, një kampionat me sponsor qesharak, që nuk shikohet, që nuk ushqehet nga ekipet e bazës. Futbolli i Shqipërisë është një mall pa zot, ose që ka një pronar. Futbolli është në rrugë të keqe”, tha ai.

Kombëtarja shqiptare e futbollit barazoi 1-1 me Arabinë Saudite në miqësoren e zhvilluar pasditen e së mërkurës në Abu Dhabi (stadiumi Al Nahyan). Dueli nuk u transmetua në asnjë televizion, teksa kishte terr informacioni edhe për rezultatin. 

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?