Kombëtarja shqiptare ka mbyllur sot përgatitjet për ndeshjen miqësore kundër Azerbajxhanit që luhet të premten në orën 19:00 dhe që është e dyta para se kuqezinjtë të zhvendosen në Gjermani për kampionatin Evropian. Ashtu si në miqësoren e parë kundër Lihtenshtejnit, trajneri Sylvinho zbuloi në konferencën për shtyp se do luajnë lojtarët të cilët janë aktivizuar pak gjatë sezonit me skuadrat e tyre.
“Për Asanin nesër është një mundësi e mirë, për të luajtur dhe të marrë minuta në këmbë, pasi është një lojtar që prej 4-5 muajsh nuk ka luajtur asnjë ndeshje zyrtare me ekipin e tij,”-u shpreh Sylvinho, trajner i Kombëtares.
Trajneri i kombëtares pohoi se kundër Azerbajxhanit është prova finale para Italisë, që është kundërshtari i parë i kuqezinjve më 15 qershor në kampionatin Evropian.
“Italia ka fanellë të rëndë, skuadër favorite por e rëndësishme është të përgatitemi mirë. Të gjitha energjitë tona janë të fokusuara tek Italia, Kroacia dhe Spanja, me shpresën përtë vazhduar përpara dhe të jemi 100% të fokusuar,"-tha Sylvinho, trajner i kombëtares.
“Duhet të punojmë fort, e ta përgatisim fort ndeshjen kundër Italisë. Prej ditës së parë kur ka ardhur trajneri na ka thënë që duhet të jemi të bashkuar dhe të jemi një dhe do të jetë shumë e mirë për të gjithë Kombëtaren tonë. Ne jemi shqiptar dhe jemi shumë krenar për këtë fanellë që e veshim është një fanellë e rëndë dhe duhet të bëjmë maksimumin dhe shpresojmë që do kemi rezultate të mira në Evropian, pse jo,”-deklaroi Taulant Seferi, futbollist i kombëtares.
Po të premten është edhe afati i fundit që Sylvinho të dorëzojë në UEFA listën përfundimtare me 26 futbollistë për Evropianin. Aktualisht me kuqezinjtë në Austri janë 27 futbollistë, ndërsa pritet që i sakrifikuari të jetë 1 mes dy portierëve, Elhan Kastrati ose Simon Simoni.”