Miqësorja me Ukrainën, Panucci ndryshon formacionin

2 Qershor 2018, 16:32| Përditesimi: 2 Qershor 2018, 16:45

  • Share

Kombëtarja shqiptare e futbollit kërkon të rehabilitohet në miqësoren ndaj Ukrainës pas humbjes turpëruese në përballjen me Kosovën. Trajneri Panuçi do të bëjë disa ndryshime, duke u besuar lojtarëve më me eksperiencë, si Mavraj e Lilaj, por duke përdorur edhe një skemë më mbrojtëse. Në sulm ka një balotazh mes Gurit dhe Manajt, me dy të rinjtë që mund të aktivizohen nga 45 minuta secili. 

Të dielën, në orën 16:00, Kombëtarja shqiptare do të luajë miqësoren e radhës, atë me Ukrainën, në Evian të Francës. Kuqezinjtë vijnë me moral jo të mirë në këtë ndeshje, pas humbjes 0-3 nga Kosova.

Pikërisht për të ndryshuar gjërat, për të marrë edhe rezultat pozitiv, gjatë këtyre ditëve trajneri Kristian Panuçi ka provuar disa skema loje për ndeshjen miqësore me Ukrainën. Para së gjithash, trajneri italian kërkon që skuadra të paraqitet mirë në lojë, në mënyrë që të fshijë nga kujtesa humbjen e thellë me Kosovën.

Kuqezinjtë do të luajnë ndryshe, ku nga minuta e parë kthehet Mërgim Mavraj, i cili do të luajë me Gjimshitin në qendër të mbrojtjes, ndërsa në krahë do të luajnë Hysaj djathtas dhe Veseli majtas. Pra, një rol i ri për Veselin, ku Bujar Lika nuk arriti ta bënte mirë ndaj Kosovës.

Titullar do të jetë edhe mesfushori i Skënderbeut, Sabien Lilaj. Para tij në qendër të këtij reparti do të jenë sërish Ndoj dhe Ramadani. Panuçi e ka ndjerë mungesën e një regjisori dhe Lilaj me eksperiencën e tij mund ta ndihmojë ekipin të dalë para.

Për sulmuesin e vetëm ka një balotazh, mes Sindrit Gurit dhe Rei Manajt. Trajneri Panuçi do ta vendosë në momentet e fundit, por më i favorizuar për ta nisur nga minuta e parë duket Manaj. Nga krahët do të mbështesin Lenjani majtas dhe Roshi djathtas. Me Ukrainën është ndeshja e fundit miqësore, në shtator nisin sfidat zyrtare për Ligën e Kombeve.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?