'Miqtë e Ballkanit' dhe IUSY letër liderëve të BE: Koha të hiqni pengesat dhe t’i hapni rrugë integrimit të Ballkanit Perëndimor

22 Qershor 2022, 14:44| Përditesimi: 22 Qershor 2022, 17:18

  • Share

Në prag të mbledhjes së Samitit të radhës të Bashkimit Evropian, Partia Socialiste është angazhuar në një proces lobimi politik për zgjerimin e mbështetjes për dhënien e dritës jeshile në fillimin zyrtar të bisedimeve të anëtarësimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian.

Rrjeti “Miqtë e Ballkanit Perëndimor” i përbërë nga partitë dhe fondacionet simotra të Partisë Socialiste të Shqipërisë i është bashkuar thirrjes për një deklaratë të përbashkët drejtuar liderëve të Bashkimit Evropian.

“Është koha e duhur që liderët evropianë të heqin pengesat që vazhdojnë të pengojnë procesin e anëtarësimit. Është koha që të fillojnë negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Është koha që BE-ja të mbështesë konkretisht përpjekjet e Bosnje-Hercegovinës për të kapërcyer ngërçin politik dhe për të vendosur reforma demokratike, në mënyrë që vendit t’i sigurohet statusi i kandidatit sa më shpejt të jetë e mundur. Dhe është koha që Kosovës t’i jepet liberalizimi i vizave, kriteret e të cilit janë përmbushur në vitin 2018”, thuhet në deklaratën e bërë publike.

Rrjeti i Miqve të Ballkanit Perëndimor është krijuar falë punës së përbashkët të Fondacionit për Studime Progresive Evropiane – FEPS (Bashkimi Evropian), Friedrich-Ebert-Stiftung (Gjermani), Karl-Renner-Institut (Austri), Masarykova demokratická Akademie (Çeki), Fondacioni Kalevi Sorsa (Finlandë), Fondacioni Jean-Jaurès (Francë), Fondacioni Max van der Stoel (Holandë), Društvo Progresiva (Slloveni), Qendra Ndërkombëtare Olof Palme (Suedi), në bashkëpunim me CeSPI (Itali).

Thirrjes së Partisë Socialiste i është bashkuar edhe IUSY (Këshilli Botëror i të Rinjve Socialist) që gjithashtu i është drejtuar me një letër publike drejtuesve të Këshillit të Bashkimit Evropian.

“E ardhmja e Evropës duhet të përfshijë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe zëri i të rinjve duhet të dëgjohet kur krijojnë drejtimin e zhvillimit të Evropës, bazuar në pritshmëritë dhe nevojat e tyre. Ne e vlerësojmë gjestin politik të dhënë nga institucionet evropiane për të shënuar këtë vit si Viti Evropian i Rinisë. Vlerësojmë faktin që Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë, është shpallur Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022. Ne kemi treguar se ndajmë vlerat themelore evropiane dhe të rinjtë janë të përkushtuar ndaj parimeve dhe vlerave evropiane, prandaj meritojnë një të ardhme brenda BE-së. Por ne ju nxisim, secilit prej liderëve të zgjedhur evropianë të së tashmes, që të bëni ndryshimin për një të ardhme më të mirë. Është koha e duhur për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.Prandaj, ne u bëjmë thirrje udhëheqësve evropianë dhe Këshillit Evropian që:

1. Të ndiqni rekomandimet e miratuara me shumicë dërrmuese nga Parlamenti Evropian, në raportet 2021/2244 (INI) për Shqipërinë dhe 2021/2248 (INI) për Maqedoninë e Veriut, dhe të nisni negociatat për anëtarësimin në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut;
2. Të promovoni dhe organizoni konferencat e para ndërqeveritare për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut më së voni deri në fund të vitit”, thuhet në deklaratën e IUSY-t.


Lajmi kryesor:

Pas lajmeve pozitive nga Sofja, Rama konfirmon pjesëmarrjen në samitin e BE: Do të jemi aty, edhe pse shumë herët për të qenë optimist


M.Q.//ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?