Përkthyesja Mira Meksi, libri dhe Shkrimtari Gabriel Garcia Marquez

Mira Meksi, sjell nga origjinali në shqip 'Njëqind vjet vetmi' të Markesit

19 Maj 2019, 08:10| Përditesimi: 19 Maj 2019, 10:18

  • Share

“100 vjet vetmi” (“Cien años de soledad“), kryevepra e krijimtarisë së Markesit, e përkthyer shumë vite më parë shqip nga Robert Shvarc, këtë herë përkthehet nga gjuha burimore. Romani, që ka shënuar kulmin e realizmit magjik vjen i përkthyer spanjishtja në shqip nga Mira Meksi.

Shtëpia botuese “Onufri” njofton hedhjen në treg të romanit, duke kujtuar fjalët me të cilat nis vepra: “Shumë vjet më vonë, përballë togës së pushkatimit, kolonel Aureliano Buendía-s do t’i kujtohej ajo pasdite e largët, kur i ati e çoi të shihte akullin…”.

Në faqet e këtij romani shpaloset një nga aventurat letrare më të jashtëzakonshme të shekullit XX. Familja Buendía-Iguarán, me mrekullitë e saj, fantazitë, idengulitjet, tragjeditë, incestet, kurorëshkeljet, rebelimet, zbulimet dhe dënimet, paraqet njëkohshëm mitin dhe historinë, tragjedinë dhe dashurinë e gjithë botës.

Historia e librit më të famshëm të Gabriel Garsia Markesit fillon në mars të vitit 1952 gjatë një udhëtimi me nënën në Aracataca, fshati i tij i lindjes. Ndoshta pikërisht në ato ditë Macondo filloi të marrë jetë në mendjen e shkrimtarit. Hija e gjyshit, figura më e rëndësishme e jetës së Marquez-it, e ndihmoi të mbyllej me fantazmat e shtëpisë ku kishte jetuar në fëmijëri, për të krijuar botën e tij magjike.

 Në romanin “Njëqind vjet vetmi” përshkruhet ngritja dhe rënia e familjes Buendia dhe e fshatit Macondo, themeluar prej kësaj familjeje në zemrën e Kolumbisë. Gjashtë breza, jetët e të cilëve gërshetohen në një dimension alternativ, në një vend jashtë botës. Nga kryeplaku i familjes dhe themeluesi i Macondo-s, Josè Arcadio Buendia deri tek fëmija i fundit me të cilin mbyllet romani kalon një shekull, një shekull plot magji dhe misticizëm. Duke u martuar Josè Arcadio me kushërirën e tij Ursula, të gjashta brezat jetojnë të mbytur nga supersticioni dhe nga frika e fëmijëve me bisht derrkuci. Të pakta janë çastet e lumtura në jetën e Mocando-s, shpesh i trazuar nga lufta civile, lulëzimi ekonomik, shfrytëzimi, katastrofat natyrore dhe shkatërrimet nga dora e njeriut. Jeta që zhvillohet në faqet e romanit nuk është vetëm ajo e fshatit por e gjithë Amerikës Latine. Personazhet e historisë janë të shumtë: nipër, fëmijë, vëllezër, me hidhërimet e tyre, ndryshimet e gjeneratave, fantazitë e papërmbushura, vitalitetin e burrave dhe mençurinë e grave të Macondos. Derisa arrijmë në fund, ku tërë fshati shkatërrohet nga një ciklon tropikal.

Mesazhet e autorit në “Njëqind vjet vetmi” janë të shumta. Marquez na dëshmon që vetmia e ndjek njeriun hap pas hapi; një njeri që lufton për mos arritur pastaj në asgjë, për t’u gjetur sërisht në pikënisje. Koha përsëritet, faktet gjithashtu, duke dhënë jetë akteret e degjeneruara të personazheve pengojnë çdo përmirësim.

Ngjarjet e ndërthurura mes reales dhe fantazisë, mes të vërtetës dhe legjendës zhvillohen në Macondo, një vend i harruar nga bota. Me këtë veprë Gabriel Garcia Marquez u konsiderua si një pararëndës I realizmit magjik në letërsinë latino-amerikane dhe atë botërore të ‘900-s. Dhe falë mjeshtërisë së stilit, ai ka fituar çmimin Nobel për letërsinë në vitin 1982.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?