Mira Murati

Mira Murati largohet nga Open AI, zbulon pse: Ndjej se është vendimi i duhur! Dua të krijoj kohë dhe hapësirë për të eksploruar

26 Shtator, 07:39| Përditesimi: 26 Shtator, 12:52

  • Share

Shefja për teknologji e kompanisë OpenAI, Mira Murati, ka njoftuar se po largohet nga kjo kompani pas më shumë se 6 vitesh.

Vendimin ajo e bëri të ditur përmes një njoftimi, që ajo ua ka dërguar punonjësve, të cilën e ka shpërndarë edhe në X.

Largimi i Muratit vjen pasi një sërë zyrtarë të lartë të kompanisë së inteligjencës artificiale, që mbështetet nga Microsoft, janë larguar gjatë këtij viti, përfshirë edhe themeluesit Ilya Sutskever dhe John Schulman.

OpenAI, kompania që ka në pronësi ChatGPT, është një prej kompanive që ka përjetuar më së shumti rritje në botë.

“Asnjëherë nuk është momenti i duhur që të largohesh nga vendi që e vlerëson, por sërish, ndiej se ky është vendimi i duhur”, tha Murati, inxhinierja 35-vjeçare nga Vlora e Shqipërisë.

Murati tha se po largohet nga kompania sepse dëshiron të krijojë “kohë dhe hapësirë për të eksploruar”.

“Përshëndetje të gjithëve, Kam diçka për të ndarë me ju. Pas shumë reflektimeve, kam marrë vendimin e vështirë për t'u larguar nga OpenAl. Gjashtë vite e gjysmë me ekipin e OpenAl kanë qenë një privilegj i jashtëzakonshëm. Do të shpreh mirënjohjen time për shumë individë në ditët në vijim, dua ta nis duke falënderuar Sam dhe Greg për punën e tyre dhe besimin që patën tek mua për të udhëhequr organizimin teknik dhe për mbështetjen e tyre gjatë gjithë këtyre viteve.

Nuk ka kurrë një kohë ideale për t'u larguar nga një vend që dikush e çmon, megjithatë ky moment duket i duhuri.

Publikimet e fundit të ‘speech to speech’ dhe ‘OpenAl o1’ shënojnë fillimin e një epoke të re në ndërveprim dhe inteligjencë artificiale- arritje të bëra të mundura nga zgjuarsia dhe mjeshtëria juaj. Ne nuk ndërtuam thjesht modele më të zgjuara, ne ndryshuam rrënjësisht mënyrën se si sistemet Al mësojnë dhe arsyetojnë përmes problemeve komplekse. Ne sollëm kërkimin e sigurisë nga sfera teorike në aplikime praktike, duke krijuar modele që janë më të fuqishme, të sistemuara dhe më të drejtuara se kurrë më parë. Puna jonë ka bërë kërkime më të avancuara për Al intuitive dhe e aksesueshme, teknologji në zhvillim që përshtatet dhe evoluon bazuar në kontributin e të gjithëve. Ky sukses është një testament i punës sonë të jashtëzakonshme në ekip, dhe kjo është për shkak të shkëlqimit tuaj, përkushtimit dhe angazhimin tuaj që OpenAl qëndron në kulmin e inovacionit Al.

Unë po largohem sepse dua të krijoj kohën dhe hapësirën për të bërë eksplorimin tim. Tani për tani, fokusi im kryesor është të bëj gjithçka në fuqinë time për të siguruar një tranzicion të qetë, duke ruajtur vrullin që kemi ndërtuar. Do të jem gjithmonë mirënjohëse për mundësinë për të ndërtuar dhe punuar së bashku me këtë ekip të jashtëzakonshëm. Së bashku, ne i kemi shtyrë kufijtë e të kuptuarit shkencor në përpjekjen tonë për të përmirësuar mirëqenien njerëzore.

Ndonëse mund të mos jem më në të njëjtën llogore me ju, unë do të jem ende këtu për ju. Me mirënjohje të thellë për miqësitë e krijuara, triumfet e arritura dhe më e rëndësishmja sfidat që kapërcyem së bashku”, shkruan Mira Murati.

Shefi ekzekutiv i OpenAI, Sam Altman, përmes një postimi në X e falënderoi Mira Muratin për gjithçka, duke e quajtur mjaft të rëndësishme për misionin e kompanisë.

 

Kujtojmë se kryeministri Edi Rama gjatë kongresit të PS-së në dhjetor të vitit të kaluar, zbuloi bisedën që ka zhvilluar me Mira Muratin, për të përshpejtuar punën e cila do të na anëtarësojë në Bashkimin Evropian. Ai u shpreh se do të arrijë me ndihmën e inteligjencës artificiale futjen në legjislacionin shqiptar rreth 4000 akte ligjore, të cilat janë të domosdoshme për anëtarësimin në BE.

M.Q./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sapa: 26/09/2024 13:31

    Pritni kur ta beje Rama ministre.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?