Dhënia e votës pro nga Shqipëria për miratimin e rezolutës së Srebrenicës nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, ka konfirmuar vlerat e një vendi perëndimor për presidentin Bajram Begaj.
Begaj e ka ndarë në profilin e tij në rrjetin X qëndrimin mbi miratimin nga ana e Asamblesë së OKB-së të Rezolutës, e cila u miratua me 84 vota pro, kundër 19 dhe 68 abstenime.
“Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi sot një rezolutë që e vendos 11 Korrikun Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë. Shqipëria edhe një herë e konfirmoi veten në grupin e vlerave perëndimore me votën dhe angazhimin e saj që kjo rezolutë të miratohej”, shkruan ai.
Teksa e cilësoi këtë datë si një datë të rëndësishme, Begaj shkruan se masakra të tilla si ajo e Srebrenicës nuk duhet që të përsëriten.
“Kjo datë do të shërbejë si kambanë e përhershme për të përkujtuar dënimin e gjenocidit, që masakra të tilla të mos përsëriten më dhe njëkohësisht është edhe një përgjigje ndaj mohuesve të gjenocidit dhe krimeve të tilla të tmerrshme”, shkruan Presidenti i Republikës.
Lajmi kryesor:
OKB-ja miraton rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë! Hasani: Shqipëria e bashkë-sponsorizoi dhe e mbështeti
S.B/ReportTv.al