Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për përcaktimin e rregullave, të kritereve, të motivit dhe të procedurave për dhënien e medaljeve dhe certifikatave në Policinë e Shtetit si dhe shpërblimin përkatës.
Në vendimin e publikuar nga Këshilli i Ministrave bëhet e ditur se “për punonjësit e Policisë, për merita në kryerjen e detyrave dhe për vjetërsi në shërbim, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit jep medalje “Mirënjohje” për punonjësit e Policisë, të dalluar për kontributin dhe vlerat e veçanta në shërbim të komunitetit; strukturës policore, që është dalluar për kontributin dhe vlerat e veçanta në shërbim të komunitetit. Kjo medalje shoqërohet me shpërblim financiar në vlerën 100 000 lekë, që përballohet nga buxheti i njësisë, ku është i punësuar punonjësi”.
Gjithashtu jepet medalje “Për rezultate të larta” për punonjësit e Policisë, që kanë arritur tregues të lartë gjatë detyrës e që merr vlerësimet maksimale për një periudhë jo më pak se 5 vjet.
Kjo medalje shoqërohet me shpërblim financiar në vlerën 90 000 lekë, që përballohet nga buxheti i njësisë, ku është i punësuar punonjësi.
Medalje “Për merita të veçanta” i jepet punonjësit të Policisë për arritje të veçanta në kryerjen e detyrave të tyre dhe që shfaqin sjellje shembullore për një periudhë jo më pak se 5 vjet.
Kjo medalje shoqërohet me shpërblim financiar në vlerën 80 000 (tetëdhjetë mijë) lekë, që përballohet nga buxheti i njësisë, ku është i punësuar punonjësi.
Medalje bronzi e karrierës 15-vjeçare i jepet punonjësit të policisë, që ka shërbyer në strukturat e Policisë së Shtetit për 15 vjet e gjatë kësaj periudhe ka dëshmuar profesionalizëm dhe sjellja e tij ka qenë shumë e mirë.
Kjo medalje shoqërohet me shpërblim financiar në vlerën 75 000 lekë, që përballohet nga buxheti i njësisë, ku është i punësuar punonjësi.
Medalje argjendi e karrierës 20-vjeçare i jepet punonjësit të Policisë, që ka shërbyer në strukturat e Policisë së Shtetit për 20 vjet e gjatë kësaj periudhe ka dëshmuar profesionalizëm dhe sjellja e tij ka qenë shumë e mirë.
Kjo medalje shoqërohet me shpërblim financiar në vlerën 85 000 lekë, që përballohet nga buxheti i njësisë, ku është i punësuar punonjësi.
Medalje ari e karrierës 30-vjeçare i jepet punonjësit të policisë, që ka shërbyer në strukturat e Policisë së Shtetit për 30 vjet e gjatë kësaj periudhe ka dëshmuar profesionalizëm dhe sjellja e tij ka qenë shumë e mirë.
Kjo medalje shoqërohet me shpërblim financiar në vlerën 100 000 lekë, që përballohet nga buxheti i njësisë, ku është i punësuar punonjësi.
Punonjësi i propozuar për dhënie të medaljes nuk duhet të ketë masë disiplinore në fuqi apo të ketë marrë më parë masë disiplinore për shkelje të rëndë gjatë viteve të punës në strukturat e Policisë së Shtetit.
Medaljet shoqërohen me 1 certifikatë. Certifikata duhet të përmbajë lart, në qendër, stemën e Republikës së Shqipërisë, institucionin, autoritetin që jep medaljen, gradën, emrin dhe mbiemrin e personit që i jepet medalja, titullin e medaljes, motivacionin, numrin dhe datën e urdhrit për dhënien e medaljes, si dhe në fund, emrin, mbiemrin e firmën e drejtorit të përgjithshëm që jep medaljen dhe vulën.
Për punonjësit e policisë jepen këto lloj certifikatash: Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit jep certifikatë për shërbime të dalluara për punonjësin e policisë, që ka kryer shërbim të dalluar në mënyrë të vazhdueshme dhe për një periudhë kohe jo më pak se 3 (tre) vjet, duke shfaqur profesionalizëm e rezultate të larta në punë.
Certifikata për shërbime të dalluara, e cila shoqërohet me shpërblim financiar në vlerën 50 000 lekë, që përballohet nga buxheti i njësisë, ku është i punësuar punonjësi.
Certifikatë të karrierës, që i jepet punonjësit të policisë, që ka mbushur më shumë së 10 (dhjetë) vjet punë/shërbim në Policinë e Shtetit, duke kontribuuar në rritjen e standardeve të rendit dhe të sigurisë publike. Certifikata e karrierës shoqërohet me shpërblim financiar në vlerën 45 000 lekë, që përballohet nga buxheti i njësisë, ku punonjësi është i punësuar.
Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 janar 2026./ ATSH
Komente
