Këshilli i Ministrave ka miratuar sot projektligjin për marrëveshjen e cila lehtëson procedurat doganore për tregtinë mes Shqipërisë dhe Kosovës. Sipas Ministres së Ekonomisë Delina Ibrahimaj, në marrëveshje parashikohet edhe çelja e një pike të përbashkët doganore.
'Miratuam sot projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet këshillit të ministrave të Kosovës dhe Shqipërisë për sa i përket zbatimit të lehtësimit të procedurave të ndërsjella në procedurat doganore, si dhe kontrollit të hyrjes dhe daljes së mallrave. Sot kjo marrëveshje shkon në parlament dhe do të lehtësojë marrëdhënien e ndërsjelltë dhe tregtinë ndërmjet dy vendeve tona, duke njohur të gjitha licensat dhe agjencitë doganore që ndodhen në kufi. Të dy vendet do të njohin kontrollet e vetëm një vendi duke ulur kohën e kontrollit doganor. Marrëveshja parashikon çeljen e pikës doganore të Kosovës, në portin e Durrësit dhe të gjitha lehtësirat që kjo pikë do të sjelli dhe do të njohë disa protokolle të cilat do ti hapin rrugën të tjerave.'- tha Ibrahimaj.
Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për zbatimin e lehtësirave të ndërsjella në procedurat doganore dhe/ose të kontrollit të hyrje/daljes së mallrave, u nënshkruan në mbledhjen e fundit të dy qeverive, asaj të Shqipërisë dhe asaj të Kosovës në dhjetor të vitit të kaluar.