Miratimi i buxhetit të bashkisë së Durrësit për 2025

Ekonomi

Miratohet buxheti i bashkisë së Durrësit për 2025/ Anëtari i PD-së del nga rreshti, ja çfarë parashikon

24 Dhjetor 2024, 16:34| Përditesimi: 24 Dhjetor 2024, 20:15

  • Share

Buxheti i Bashkisë Durrës për vitin 2025 u miratua me 29 vota pro dhe 8 abstenime gjatë mbledhjes së fundit të Këshillit Bashkiak. Përveç votave pro nga 28 anëtarët e maxhorancës, u shtua edhe vota e një anëtari të opozitës, Samet Vata. Ndërkohë, paketa fiskale u miratua me 28 vota pro dhe 10 abstenime.

Buxheti i vitit të ardhshëm arrin vlerën prej rreth 5.4 miliardë lekësh, duke shënuar një rritje prej 21% krahasuar me vitin e kaluar. Ai do të financojë 14 projekte të reja të bashkisë, ndërsa një pjesë e tij do të përdoret për përpunimin e mbetjeve urbane të qytetit.

Këshilltari i djathtë, Joni Myshketa, theksoi se procesi i rindërtimit duhej të përfundonte nga qeveria shqiptare, pasi fondet që mund të shkonin për zhvillimin e qytetit po përdoren për adresimin e pasojave të tërmetit të vitit 2019.

Gjatë diskutimeve, këshilltari i PD-së, Ardian Muka, parashtroi disa pyetje lidhur me buxhetin dhe paketën fiskale. Kryebashkiakja Emiriana Sako sqaroi se këto çështje duhej të ishin ngritur në mbledhjet e komisioneve dhe jo gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak.

Këshilltari Muka kërkoi publikisht kopjen e kontratës që Bashkia Durrës ka me landfillin e Sharrës për përpunimin e mbetjeve dhe iu garantua se dokumenti do t’i vihej në dispozicion.

Të gjitha pikat e tjera të rendit të ditës u miratuan me votat pro të 38 këshilltarëve të pranishëm në mbledhje.

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Arrestimi i Veliajt, si e vlerësoni qëndrimin e Ramës ndaj drejtësisë?