Politikë

Miratohet fondi/ 1.4 mln Euro shpërblim për policët me rezultate të larta në kryerjen e detyrës

17 Maj 2019, 15:17| Përditesimi: 17 Maj 2019, 22:57

  • Share

Qeveria miratoi një fond prej 1.4 milionë eurove për shpërblimin e punonjësve të policisë të Shtetit për rezultate të larta në kryerjen e detyrës. Sipas vendimit të qeverisë, ky fond i hiqet Ministrisë së Mbrojtjes dhe i kalon Ministrisë së Brendshme.

Lista e punonjësve që do të shpërblehen do të miratohet nga ministri i Brendshëm, me propozim të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Vendimi

1. Në buxhetin e miratuar për vitin 2019 të bëhet rishpërndarja e fondeve, ndërmjet Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Mbrojtjes, si më poshtë vijon:

a) Ministrisë së Brendshme t’i shtohet fondi prej 170 000 000 (njëqind e shtatëdhjetë milionë) lekësh, në programin buxhetor “Policia e Shtetit”, për shpërblimin e punonjësve të Policisë së Shtetit, për rezultate të larta në kryerjen e detyrës;

b) Ministrisë së Mbrojtjes t’i pakësohet fondi prej 170 000 000 (njëqind e shtatëdhjetë milionë) lekësh, në zërin “Shpenzime korrente”, të programit “Mbështetja e luftimit”.

2. Masa e shpërblimit të jetë deri në një pagë mujore dhe lista e punonjësve të Policisë së Shtetit, që do të shpërblehen, të miratohet nga ministri i Brendshëm, me propozim të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

3. Ngarkohen Ministria e Brendshme, Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.

KRYEMINISTËR

Edi Rama

/B.K./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Berisha kundër uljes së çmimit të energjisë elektrike, si iu duket?