Qeveria ka miratuar fondin 240 milionë lekë për periudhën 2023-2025 për të integruar dhe punësuar individët e ndërmarrjeve sociale. Teksa e vlerësonte si mekanizëm financiar që bën të mundur punësimin e grupeve në nevojë dhe i integron në shoqëri, Ogerta Manastirliu u shpreh se kusht është që 50% të punësuarve të jenë individë që janë pjesë e skemave të mbrojtjeve sociale.
Ministrja u shpreh se vendimi krijon mundësitë që individët e papunësuar nga kategoritë e disavantazhuara që janë pjesë e programeve sociale të mund të punësohen me pagë minimale dhe të kenë kontribute shëndetësore e shoqërore.
“Sot kemi miratuar një seri vendimesh të rëndësishme. Kemi miratuar vendimin për ndërmarrjet socialë dhe përcakton format e mbështetjes për ndërmarrjen sociale. Ky vendim krijon për të disatën herë fondin e mbështetjes së ndërmarrjeve sociale në vlerën 240 milionë lekë për periudhën 2023-2025. Format e mbështetjes përmes subvencionit do bëjnë të mundur që individë që janë pjesë e programeve të papunësisë të mund të punësohen në mënyrë që shteti të subvencionojë pagën minimale për ta. Kjo formë e re vjen për të mbështetur organizatat jofitimprurëse. Një ndër elementet përveç kritereve që duhet të plotësojnë është që deri në 50% e të punësuarve do të jenë individë që janë pjesë e skemave të mbrojtjeve sociale", tha Manastirliu.
Manastirliu theksoi se kjo formë mbështetje do të ndikojë në fuqizimin ekonomik të njerëzve në nevojë që janë pjesë e programeve të ndihmës ekonomike por do të kenë mundësinë që të të riintegrohen në tregun e punës.
Këto forma mbështetje vijnë në kuadër të fuqizimit ekonomik të personave që janë në moshë aktive pune, pjesë e programeve të ndihmës ekonomike por tashmë kanë mundësi të riintegrohen në tregun e punës. Ne kemi punuar fort për të bërë të mundur integrimin dhe riintegrimin e familjeve që janë pjesë e programeve tona sociale”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë tha se përmes këtyre programeve, në vitin 2022 janë subvencionuar më shumë se 3600 persona që kanë qenë pjesë e programit të ndihmës ekonomike. Ndërmarrjet Sociale që financohennga shteti do të jenë një mundësi më tepër për të riintegruar përmes punësimit shtresat në nevojë si; gratë, personat me aftësi të kufizuar, personat që dalin nga skema e ndihmës ekonomike apo njerëz në nevojë që janë të përjashtuar nga tregu i punës.