Kuvendi miraton pr/ligji për studentët e Mjekësisë, 3 vite punë të detyruar ose paguaj studimet! Shteti duhet ta punësojë brenda 3 muajsh ose t'i japë 80% të pagës për 9 muaj

19 Shtator, 17:32| Përditesimi: 19 Shtator, 23:22

  • Share

Tirane-  Maxhoranca miratoi sot (19 shtator 2024) në kuvend pr/ligjin për studentët e Mjekësisë në Universitetin Publik, sipas të cilit ata duhet të firmosin një kontratë për punë të detyruar në Shqipëri për jo më pak se 3 vite pasi të diplomohen, ose të paguajnë tarifën e plotë të studimit.

Projektligji "Për një shtesë dhe disa ndryshime në ligjin nr. 60/2023, "Për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë "Mjekësi e Përgjitshme”, në institucionet publike të arsimit të lartë" u miratua me 74 vota pro, 1 abstenim, 0 kundër. 61 deputetë të pranishëm nuk votuan

Konkretisht 74 vota pro ishin të deputetëve të Partisë Socialiste, Vota abstenim ishte e deputetit të PDIU-së, Gëzim Ademaj ndërsa deputetët e opozitës nuk ishin të pranishëm. Ata u larguan pasi u mbajt një minutë heshtje për ndarjen nga jeta të ish deputetit Gerti Bogdani duke respektuar vendimin e PD-së për mbajtjen 2 ditë zie. Ndërkohë në Komisionin e Ekonomisë deputetët e opozitës votuan kundër kësaj nisme.

Në këtë pr/ligj maxhoranca tha se kishte reflektuar ndryshimet e kërkuara nga gjykata Kushtetuese në janar të këtij viti me shfuqizimin pjesërisht të ligjit nr 60/2023 i cili i detyronte studentët që për 5 vite pas diplomimit të mos largoheshin për të punuar jashtë vendit duke iu mbajtur 'peng' diploma. 

Deputetja socialiste Etilda Gjonaj tha se ndryshimet plotësojnë rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese.

Gjykata e ka konsideruar se vendosja e kufizimeve të të drejtave kushtetuese është kryer me ligj, dhe nga ligjvënësi ka patur si qëllim të sigurojë burimet njerëzore për kryerjen e shërbimeve të shëndetit publik në institucionet shëndetësore nëpërmjet përcaktimit të një trajtimi tëvecantë për studentët”, tha Gjonaj.

3 vite punë të detyruar ose paguaj faturën e studimeve
Me ligjin e ri nëse studentët e vitit të parë firmosin kontratë me shtetin duhet të punojnë 3 vite pas diplomimit, studentët e vitit të dytë e deri në atë të katërt, 2 vite dhe për studentët e vitit të pestë e të gjashtë një vit. Studentët duhet të ofrojnë shërbim të detyrueshëm për këto vite dhe diploma u jepet vetëm pasi mbarojnë këto vite punësimi të detyrueshëm. Nëse nuk pranojnë të nënshkruajnë kontratën atëherë ata duhet të paguajnë tarifën e studimit e cila do të përcaktohet brenda ditësh përpara se të nisë viti i ri akademik, 7 tetor 2024.

Punësim brenda 3 muajsh, pagesë 80% për 9 muaj
Pr/ligji i ri parashikon dhe ndryshime sa i takon punësimit, të shkruara qartësisht në nenin 6 të ligjit.  Nëse studentët firmosin marrëveshjen atëherë ministria e Shëndetësisë duhet që brenda 3 muajve pas licencimit të punësojë mjekun sipas notës mesatare, pa zhvilluar procedura konkurrimi.

Studenti që përfundon programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e përgjithshme” në institucionet publike të arsimit të lartë dhe ka nënshkruar marrëveshje sipas përcaktimeve të këtij ligji, në momentin e lindjes së të drejtës për punësimin e tij, fillimisht ndiqen procedurat për t’u punësuar në institucionet shëndetësore sipas nevojave për mjekë të shpallura nga ministria e shëndetësisë dhe përzgjedhja e vendeve të punës bëhet nga mjeku i licencuar, në bazë të renditjes sipas notës mesatare të përfundimit të studimeve.

Përgjatë kësaj periudhe mjeku do të ketë të drejtën të trajtohet me 80% të pagës së mjekut të përgjithshëm në kujdesin parësor, për një periudhë jo më të gjatë se ky afat, ose të zgjedhë të punësohet në institucionet shëndetësore jopublike në vend, duke njoftuar ministrinë përgjegjëse për shëndetësinë, si dhe duke ruajtur të drejtën për punësim prioritar brenda periudhës 9 (nëntë) mujore në institucionet shëndetësore publike. Pra nëse studenti nuk punësohet për 9 muaj atëherë ai ka të drejtën e pagës 80% gjatë kësaj periudhe 9 mujore. 

Nëse mjeku i ri nuk punësohet pas përfundimit të këtyre dy afateve atëherë konsiderohet i permbushur detyrimi sipas percaktimeve te ketij ligji dhe mjeku ka të drejtën të pajiset me diplomën përkatëse universitare. Do të jetë ministria e Arsimit dhe Ministria e Shëndetësisë të cilat do të hartojnë një udhëzim të përbashkët për mënyrën dhe procedurat e punësimit me prioritet.

Kur ka shtrirje ky ligj?
Shtrirja e efekteve të dispozitave të këtij projektligji do të jenë, nga viti i ardhshëm akademik 2025-2026 deri në vitin akademik 2029-2030 dhe ligji hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Studentët e kanë kundërshtuar 'punën e detyruar' që u është vendosur me ligj dhe në qershor 2024 e kanë bërë padi në Gjykatën e Strasburgut

Ligji nuk ka efekt tek studentet jo shqiptare
Ky ligj nuk shtrin efektin e tij tek studentët e huaj apo nga trojet pasi kanë përcaktime të veçanta për regjistrimin e tyre në institucionet publike të arsimit të lartë në fushën e mjekësisë.

Çfarë rrëzoi Gjykata Kushtetuese dhe çfarë kërkoi?
Më 25 janar 2024  u rrëzua pjesërisht nga Gjykata Kushtetuese, ligji nr 60/2023 që detyronte studentët që firmosnin kontratën të kryenin jo më pak se 5 vite punë të detyruar brenda vendit, duke iu mbajtur peng edhe diploma. Gjithashtu Gjykata Kushtetuese vuri në dukje dhe mungesën e kritereve objektive të punësimit me prioritet, trajtimin financiar në kuadër të sigurimit të mjeteve të nevojshme të jetesës, si dhe përllogaritjen e pagesës së periudhës në pritje në kohëzgjatjen e detyrimit për punësim.

Me vendimin nr. 1 datë 25.1.2024 të Gjykatës Kushtetuese kërkoi 
- Të rishikohen afatet e përcaktuara në nenin 4 të ligjit nr. 60/2023 deri në një kufi jo më të gjatë se sa tre vjet.
- Duhet të rishikojë me qëllim që të garantojë parimin e proporcionalitetit të ndërhyrjes edhe afatet e tjera tre dhe dyvjeçare të përcaktuara respektivisht në pikën 2, shkronjat “a” dhe “b”, dhe pikën 3, shkronjat “a” dhe “b” të nenit 4 të ligjit nr. 60/2023..

Foto: Votimi i pr/ligjit per studentet e Mjekesise, ne Kuvend 19 shtator 2024

1726776842_1726766932votimipermjekesine.jpg

Foto: Votimi i pr/ligjit per studentet e Mjekesise ne Kuvend 19 shtator 2024

 

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë) Projektligji

Ora 19:54
Gjonaj shpjegon ndryshimet në projektligjin për studentët e Mjekësisë, ja rasti kur mjeku trajtohet me 80% të pagës

 

Etilda Gjonaj, deputete e PS-së, ka shpjeguar në Kuvend ndryshimet në ligjin për trajtimin e veçantë të studentëve të Mjekësisë, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Gjonaj tha se është propzozuar se nëse brenda 3 muajsh ministria nuk i punëson dot mjekët, ata kanë të drejtë të punësohen në institucionet shëndetësore private

“Kemi propozuar në nenin 3 të këtij projektligji ndryshimin e nenit 6 të ligjit 60/2023, ku është përcaktuar se për studentin që përfundon studimet në institucionet publike të arsimit të lartë dhe ka nënshkruar marrëveshje sipas ligjit, fillimisht ndiqen procedurat për t’u punësuar në institucionet shëndetësore sipas nevojave në bazë të renditjes sipas notës mesatare të përfundimit të studimeve. 

Nëse brenda 3 muajsh ministria nuk i punëson dot për arsye objektive dhe për shkaqe që nuk varen nga mjeku, mjekët kanë të drejtë të punësohen në institucionet shëndetësore private. Në kushtet kur ai ndodhet në pamundësi punësimi edhe në institucionet shëndetësore publike mjeku trajtohet me 80% të pagës së mjekut të përgjithshëm në kujdesin parësor, për një periudhë jo më të gjatë se ky afat, ose mund të zgjedhin të punësohen në sektorin privat. Në çdo rast, ata kanë të drejtën për një punësim prioritar brenda 9 muajsh në institucionet publike”, tha ajo.

Ajo tha se Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj ka përcaktuar dy momente, të cilat i ka konsideruar se duhet të rishikohen.

“E para, lidhur me rishikimin e afateve të nenit 4 të ligjit me qëllim garantimin e parimit të porporcionalitetit të ndërhyrjes, deri në një kufi jo më të gjatë se 3 vjet. Nisur nga efekti detyrues për zbatimin e vendimit në pjesën arsyetuese dhe dispozitiv, kemi propozuar parashikimet e reja të dispozitave duke ju përmbajtur me përpikmëri këtyre detyrimeve. Në vendimin e saj, Gjykata ka arsyetuar se e drejta për arsim të lartë parashikuar nga neni 57 pika 1 e Kushtetutës, është një e drejtë që orientohet nga shteti drejt krijimit, zhvillimit dhe përcjelljes dhe mbrojtjes së dijeve, kujfitë e të cilës mund të përcaktohen rast pas rasti edhe në varësi të nevojave dhe interesave të përgjithshëm publik duke ruajtur balancën midis të drejtave. Ashtu sic gjykata vlerëson se e drejta për të zgjedhur punën e garantuar nga neni 49 /1 i Kushtetutës nuk është absolute dhe ajo mund të jetë e kufizuar në përputhje me kriteret e nenit 17 që lejon kufizimin e të drejtave vetëm me ligj.

Për këtë arsye Gjykata ka shqyrtuar dhe arsyetuar lidhur më këtë ndërhyrje për nenin 17 në disa kritere kushtetuese: 1) ndërhyrja me ligj, 2) për interes publik dhe 3) nëse është respektuar kriteri i përpjesëtimit midis ndërhyrjes dhe gjëndjes që e ka diktuar atë. Nga ky shqyrtim që është analizuar nga Gjykata Kushteteuese, rezulton se kriteret e kufizimeve për dy kriteret e parë e kanë kaluar filtrin e gjykatës, duke i dhënë legjitimitet ndërhyrjes. E thënë ndryshe, gjykata e ka konsideruar se vendosja e kufizimeve të të drejtave kushtetuese është kryer me ligj, dhe nga ligjvënësi ka patur si qëllim të sigurojë burimet njerëzore për kryerjen e shërbimeve të shëndetit publik në institucionet shëndetësore nëpërmjet përcaktimit të një trajtimi tëvecantë për studentët”, tha Gjonaj.

Ora 18:11
Miratohen ndryshimet ligjore për funksionimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit gjeohapësinor, Balla: Cilësi dhe standarde

Kuvendi miratoi me 73 vota pro, 0 kundër dhe 2 abstenim projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 72/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e Infrastrukturës kombëtare të informacionit gjeohapësinor në Republikën e Shqipërisë”.

Projektligj i cili u prezantua nga Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, z. Taulant Balla.

Në fjalën e tij, Balla u shpreh se, ndryshimet mundësojnë që informacioni që do të mblidhet të ketë më shumë cilësi.

Fjala e plotë:

Ndryshimet që keni përpara dhe  që presin miratimin tuaj sot mundësojnë një realizim edhe më të plotë të misionit të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) për krijimin, por edhe për përdorimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit gjeohapsinor në Republikën e Shqipërisë.

Ndryshimet do të sigurojnë që informacioni i mbledhur gjeohapsinor të prodhohet pikësëpari me cilësi, në kohë dhe me standardet e duhura.

Dhe po ashtu do të rritet ndërveprimi mes institucioneve shtetërore, por pa harruar asnjëherë dhe sipërmarrjet private prodhuesve, përdoruesve, për rëndësinë e përdorimit të informacionit  gjeohapsinor gjatë procesit të vendimmarrjes në përputhje me te gjitha dispozitat ligjore. Ky ndërveprim mes institucioneve do të përmirësohet, duke siguruar dhe komunikimin online të parashikuar dhe në aktet nënligjore .

Prandaj do t'i ftoja kolegët deputetë që të miratonim këtë ndryshim të rëndësishëm që lidhet me një qasje të re në përdorimin dhe në shfrytëzimin e informacionit të mbledhur gjeohapsinor.

Votimet e tjera

Kuvendi miratoi me 73 vota pro, 4 abstenim dhe 0 kundër edhe projektligjin “Për prodhimin organik, etiketimin e produkteve organike dhe kontrollin e tyre”.

Kuvendi miratoi me 72 vota pro, 2 abstenim dhe 0 kundër edhe projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 43/2020, “Për aktivitetet e turizmit detar”.

Ora 17:47
Votimi në Kuvend/ Ish-kryeparlamentarja Lindita Nikolla caktohet anëtare të komisionin Edukimit, Peleshi te Komisioni i Jashtëm

Kuvendi sistemoi sot nëpër komisione parlamentare ish-ministrin e Mbrojtjes dhe ish-kryetaren e Parlamentit.


Kështu me 73 vota pro, 2 abstenim, 0 kundër Lindita Nikolla u votua si anëtare në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, ndërsa Niko Peleshi si anëtar në Komisionin për Politikën e Jashtme.

Ky i fundit me 73 vota pro, 1 abstenim dhe 0 kundër u emërua dhe si anëtar zëvendësues në Komisionin për Çështjet Evropiane.

Ora 17:43
Kuvend/ Besnik Dervishi rizgjidhet Komisioner për të Drejtën e Informimit! Rrëzohet kandidatura e Erjon Fejzulla si anëtar i KLGJ-së

Kuvendi ka rizgjedhur Besnik Dervishin, si Komisioner për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave personale.

Besnik Dervishi u votua me 72 vota pro, 1 abstenim dhe 2 kundër.

Votat ishin të Partisë Socialiste, pasi deputetët e opozitës u larguan nga salla menjëherë pasi u mbajt një minutë heshtje në nderim të ish-deputetit të Partisë Demokratike, Gerti Bogdani.

Kuvendi rrëzoi me 7 vota pro, 61 abstenim dhe 4 kundër projektvendimin për zgjedhjen e kandidatit Erjon Fejzulla, si anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor nga radhët e përfaqësuesve te shoqërisë civile.

Ora 17:10
Kuvendi, 1 minutë heshtje në nderim të ish-deputetit Gerti Bogdani

Kuvendi pati sot një seancë shumë të shkurtër plenare, duke respektuar ndarjen nga jeta të ish-deputetit Gerti Bogdani.  

Seanca nisi me 1 minutë heshtje në nderim të ish-deputetit të Partisë Demokratike, i cili u nda nga jeta më 128 shtator në moshën 44-vjeçare  për shkak të një arresti kardiak.  Kryetarja e parlamentit Elisa Spiropali mbajti një fjalim të shkurtër përpara deputetëve, në nderim të Bogdanit.

Më pas deputetët e opozitës u larguan nga salla për të respektuar dy ditë zie të shpallur nga Partia Demokratike.

Ndërkohë socialistët vendosën ta respektojnë dhimbjen e miqve dhe të afërmve të ish-deputetit dhe anuluan të gjitha fjalimet e gjata, duke iu dhënë fjala vetëm 4 propozuesve të 4 projektligjeve në rend dite.

 

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë) Rendi i dites

 

S.B//ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?