Komisioni i Politikës së Jashtme

Politikë

Miratohet me votat e PS marrëveshja me BE për ekonominë dhe shoqërinë dixhitale, Balla në Komisionin e Jashtëm: Brenda qershorit hapim të gjithë kapitujt

2 Qershor, 11:43| Përditesimi: 2 Qershor, 11:50

  • Share

Në Komisionin e Politikës së Jashtme u miratua marrëveshja mes Shqipërisë dhe BE-së për programin operacional për ekonominë dhe shoqërinë dixhitale 2024-2027. Marrëveshja për fondet e paraanëtarësimit (IPA III) u miratua vetëm me votat e PS, ndërsa e vetmja e pranishme nga opozita Greta Bardeli nuk mori pjesë në votim.

Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, paraqiti para Komisionit marrëveshjen, teksa e cilësoi si një “akt politik dhe strategjik” që përshpejton integrimin e vendit në Bashkimin Evropian. Balla tha se ky program vjen në një moment të rëndësishëm ndërsa brenda qershorit pritet që të hapin të gjithë grupkapitujt me BE, dhe deri në 2027 të kenë përmbyllur të gjithë këto grupkapituj.

“Kjo marrëveshje vjen në një moment të rëndësishëm të rrugës së anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, ndërkohë që kemi hyrë në muajin qershor. Brenda këtij muaji, presim të përfundojmë hapjen e plotë të të gjithë kapitujve të marrëveshjes për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ndërkohë, me hapjen e gjithë kapitujve bëhemi gati edhe për mbylljen e disa prej tyre, duke synuar, siç e kemi shprehur, të mbyllim të gjithë kapitujt brenda Krishtlindjeve të vitit 2027.”, u shpreh Balla.

Ministri tha se marrëveshja është pjesë e paketës së mbështetjes në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Në këtë kuadër, Shqipëria ka akses në një shumë të konsiderueshme mbështetjeje financiare, por me një kusht të qartë: përmbushjen e reformave të dakorduara me BE-në.

“Shqipëria ka një mundësi të artë për të përfituar mbështetje financiare deri në 922 milionë euro (kredi dhe grant), përfshirë 27 milionë euro mbështetje direkte buxhetore, nëse përmbushim në kohë reformat e dakorduara me BE-në, përfshirë edhe këtë marrëveshje,” theksoi ai.

Programi përfshin një financim total prej 44 milionë eurosh, nga të cilat 30 milionë euro janë grant nga Komisioni Evropian dhe 14 milionë euro bashkëfinancim nga buxheti i shtetit shqiptar. Raporti i bashkëpunimit është 68% financim evropian dhe 32% kombëtar.

Investimet do të fokusohen në pesë fusha kryesore: Së pari, arsimi digjital, ku synohet pajisja e 5,500 mësuesve të shkollave të mesme me laptopë për përdorimin efektiv të Sistemit të Menaxhimit të Informacionit Parauniversitar (SMIP), si dhe rishikimi i kurrikulës së Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK). 

Së dyti, Shëndetësia digjitale, përmes ngritjes së Sistemit të Informacionit të Radiologjisë dhe Regjistrit Elektronik Shëndetësor (e-HR), që do të mundësojnë ruajtjen dhe qasjen e integruar të të dhënave shëndetësore të pacientëve në nivel kombëtar.  Së treti, siguria kibernetike, ku do të mbështetet AKSHI për blerjen e softuerëve të avancuar si “Threat Intelligence”, monitorimin e “dark ëeb” dhe ngritjen e një server room të ri për të forcuar kapacitetet mbrojtëse. 

Së katërti, administrata tatimore, me qëllim përafrimin me sistemet e BE-së për shkëmbim automatik të të dhënave dhe rritje të efikasitetit fiskal.  Dhe së fundmi, lidhshmëria digjitale, përmes investimeve në rrjetet me kapacitet shumë të lartë (VHCN) dhe teknologjinë 5G, në përputhje me objektivat e Agjendës Digjitale të Shqipërisë 2022–2026 dhe strategjisë kombëtare për zhvillim. 

Balla e cilësoi projektligjin jo vetëm si një instrument ligjor, por edhe si një hallkë kyçe në avancimin e procesit të anëtarësimit të vendit në BE. Ai ftoi për miratimin sa më të shpejtë të marrëveshjes, e cila është ndër ato detyrime që duhet të përmbyllen brenda muajit qershor.

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni vendimin për rinumërimin e kutive të Qarkut Tiranë?