Ministri në detyrë i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, deklaroi sot se është miratuar metodologjia dhe tarifat e shpërblimit të veprave të mbrojtura nga e drejta e autorit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gonxhja thekson se ky vendim është një hap i rëndësishëm për garantimin e shpërblimit të drejtë dhe të arsyeshëm për autorët, krijuesit dhe mbajtësit e të drejtave.
Gjithashtu, shprehet Gonxhja, ky vendim garanton respektimin e kornizës ligjore kombëtare dhe përafrimin me standardet e Bashkimit Evropian, krijimin e një mjedisi të qëndrueshëm dhe ekonomikisht të përballueshëm për të gjithë përdoruesit e veprave.
Ministri Gonxhja shton se rriten mundësitë e shpërblimit për të gjithë mbajtësit e të drejtave, duke shtrirë pagesën nga të gjithë përdoruesit.
Në relacionin e plotë të publikuar online në faqen zyrtare të MEKI-r, thuhet se, Shqipëria ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm në përmirësimin e sistemit të mbrojtjes së të drejtave të autorit dhe të drejtave të lidhura me to.
Qëllimi parësor i Metodologjisë është që nëpërmjet tarifave gjithëpërfshirëse, të pajtojë interesat e mbajtësve së të drejtave me ato të përdoruesve përmes krijimit të një sistemi të balancuar shpërblimi. Po ashtu, një sistem i tillë i mirëstrukturuar jo vetëm që fuqizon të drejtat e autorëve dhe mbajtësve së të drejtave, por siguron edhe transparencë dhe parashikueshmëri për përdoruesit duke ndihmuar në krijimin e një klime të qëndrueshme ligjore për investime kulturore dhe zhvillimin e industrive kreative.
Komente
