Këshilli i Ministrave miratoi sot ndërtimin e centralit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike dhe veprave ndihmëse, i cili nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse, në fshatin Sheq Marinas, Njësia Administrative Topojë (Fier).
Centrali fotovoltaik do të ndërtohet nga shoqëria “PROSOL”, sh.p.k dhe pritet të ketë një kapacitet të instaluar prej 21 MË. Koha për ndërtimin, pajisjen me lejen e ndërtimit dhe vënien në operim të impiantit fotovoltaik do të jetë brenda 36 muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi. Ndërkohë vendimi i Këshillit të Ministrave parashikon që afati i operimit është 49 vjet nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
Vendimi parashikon se shoqëria “PROSOL”, sh.p.k., do t’i japë falas, ministrisë përgjegjëse për energjinë sasinë e energjisë elektrike, në masën 2% të sasisë vjetore të prodhimit të energjisë elektrike ose konvertimin e saj në vlerë monetare.
'Në këtë kontratë përcaktohen të drejtat e detyrimet e palëve për realizimin e këtij projekti, penalitetet, në rast mosrealizimi, si dhe çështje të tjera që lidhen me zbatimin e saj; t’i japë falas, në formë royalty, ministrisë përgjegjëse për energjinë sasinë e energjisë elektrike, në masën 2 (dy) % të sasisë vjetore të prodhimit të energjisë elektrike ose konvertimin e saj në vlerë monetare. Në rast konvertimi në vlerë monetare, shuma derdhet tërësisht në buxhetin e shtetit; të përmbushë kërkesën, sipas rastit, që një pjesë e prodhimit të burimit gjenerues të energjisë t’i shitet furnizuesit publik, sipas legjislacionit në fuqi', thuhet në vendim.
Po ashtu, vendimi parashikon se Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore kanë të drejtë të ushtrojnë mbikëqyrje të përgjithshme me afate 3-mujore gjatë realizimit, vënies në punë dhe operimit, me synim që të verifikojnë se ecuria e punimeve, cilësia, konformiteti dhe operimi janë në përputhje me programin e përgjithshëm të realizimit dhe të dokumentacionit të projektit.
Ndërkohë shoqëria “PROSOL”, sh.p.k., ka detyrimin të respektojë kushtet e cituara në lejet, licencat dhe autorizimet paraprake mjedisore, lëshuar nga institucionet përgjegjëse kombëtare, si dhe të dorëzojë sigurimin e kontratës, në masën jo më pak se 5% të vlerës së investimit, përpara nënshkrimit të kontratës ndërmjet shoqërisë “PROSOL”, sh.p.k., dhe ministrisë.
Shoqëria PROSOL”, sh.p.k. është me aksioner Fatjon Seitaj i cili ka 50% të aksioneve dhe 50% të tjera i ka Ankor dhe administrator e ortak i vetëm Ervis Deda.
Komente
![](https://report-tv.al/template/img/antipiracynote.jpg)