Premtimi për një pension të 13-të për rreth 721 mijë pensionistët shqiptarë mund të bëhet shumë shpejt realitet. Objektivi i qeverisë është shpalosur qartë, tashmë në ‘Dokumentin Politik për Moshimin dhe Planin e Veprimit 2025-2030’.
Përveç pensionit të 13-të, do të merren masa për të rritur me 50 % e pensionin mesatar i cili për vitet e plota sot është afro 350 euro. Po kështu do të ketë rritje me 100% të pensionit social, nga 100 euro në 200 euro.
Sipas dokumentit do të ndryshojë mënyra e indeksimit, pasi do të shkohet drejt indeksimit vjetor të diferencuar, pra në varësi të vlerës së pensionit dhe jo si aktualisht që indeksimi është i njëjtë për të gjithë.
“Një element tjetër në fokusin e reformës që ka filluar të hulumtohet dhe praktikohet nga qeveria shqiptare, është edhe indeksimi i pensioneve, i cili synohet që me skemën e re të bëhet i diferencuar sipas të ardhurave nga pensionet, nëpërmjet përmirësimit gradual të të ardhurave të pensionistëve, e kryesisht pensioneve më të ulëta, me qëllim rritjen e tyre”, thuhet në strategji.
Dokumenti parashikon edhe reformimin e skemës së pensioneve si dhe rritjen e moshës së daljes në pension. Aktualisht gratë dalin në pension 61 vjeç e 10 muaj, ndërsa burrat dalin 65 vjeç. Për gratë mosha rritet me 2 muaj çdo vit, ndërsa për burrat rritja do të nisë në vitin 2032, me qëllim që në vitin 2056 mosha e pensionit të jetë 67 vjeç për të dyja gjinitë.
Por BE ka kërkuar përshpejtim të rritjes së moshës dhe mesa duket kjo kërkesë do të pranohet nga qeveria, përsa kohë është vënë si objektiv edhe në këtë strategji 5-vjeçare. Projektohet edhe avancim në përpjekjet për marrëveshje me Greqinë për vitet e punës për shqiptarët që jetojnë atje.
Komente

Do presim te 13tin.
PërgjigjuPo per njerzit force pune qe punojn qe mbajn familjet qe shkollojn femijet a do ket ndonje apge te 13 si gjith europa
Përgjigju