Qeveria ka miratuar një zonë të re të teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik në Xhafzotaj në Shijak.
Bëhet fjalë për një territor me sipërfaqe 135 215 metër katrorë, pjesë e zonës kadastrale 3852, në Xhafzotaj, Shijak. Periudha e funksionimit të zonës do të jetë 35 vjet, me të drejtë përsëritje deri në 99 vjet.
Në vendimin e Këshillit të Ministrave të bërë publik, thuhet se veprimtaritë që do të zhvillohen në këtë zonë, do të jenë të llojit industri prodhuese, të automjeteve dhe pjesëve të këmbimit, të teknologjisë dhe informacionit, të pajisjeve elektronike, të produkteve të energjisë etj.
Njoftimi i plotë:
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 4, të ligjit nr.9789, datë 19.7.2007, “Për krijimin dhe funksionimin e zonave të teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave V E N D O S I:
1. Shpalljen “Zonë e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik” të territorit me sipërfaqe 135 215 (njëqind e tridhjetë e pesë mijë e dyqind e pesëmbëdhjetë) m2 dhe sipërfaqe ndërtimore 53 022.3 (pesëdhjetë e tre mijë e njëzet e dy pikë tre) m2, pjesë e zonës kadastrale 3852, në Xhafzotaj, Shijak, të përbërë nga parcelat me numrat e pasurive dhe sipërfaqet përkatëse, sipas listës dhe genplanit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Shtrirja, kufijtë, pikat e hyrjes dhe të daljes në “Zonën e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik” përcaktohen në genplanin që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Veprimtaritë, që do të zhvillohen në “Zonën e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik”, janë të llojit:
a) industri prodhuese;
b) industri e automjeteve dhe pjesëve të këmbimit;
c) industri e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (ICT);
ç) industri e pajisjeve elektrike dhe elektronike;
d) industri e produkteve të energjisë;
dh) industri e rëndë;
e) industri e lehtë dhe agropërpunuese;
ë) përpunim dhe magazinim mallrash;
f) tregtare dhe eksport-import;
g) shërbime;
gj) industri të tjera, në përputhje me legjislacionin shqiptar.
4. Periudha e funksionimit të zonës është 35 (tridhjetë e pesë) vjet, me të drejtë përsëritjeje deri në 99 (nëntëdhjetë e nëntë) vjet.5. Ministria përgjegjëse për ekonominë vë në dispozicion, në funksion të zhvillimit të projektit, pasuritë e paluajtshme të llojit “arë”, të ndodhura në zonën kadastrale 3852, në Xhafzotaj, Durrës, me numra pasurie 345/55 (sipërfaqe totale 293 m2), 345/60 (sipërfaqe totale 367 m2) dhe 345/62 (sipërfaqe totale 760 m2), pjesë të zonës së teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik, me sipërfaqe totale 1 420 (një mijë e katërqind e njëzet m2), sipas legjislacionit në fuqi.
6. Zhvillues i “Zonës së teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik” shpallet shoqëria “VERTIGO”, sh.p.k.
7. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve për zbatimin e këtij vendimi.
Komente
