Federata e Futbollit dhe Bashkia e Kavajës do të rindërtojnë stadiumin e Besës. Në një takim të zhvilluar në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të FSHF-së, Bashkisë së Kavajës, arkitektëve të huaj e shqiptarë, u shpall edhe projekti fitues për ndërtimin e stadiumit.
Juria, e përbërë nga arkitektë ndërkombëtarë dhe shqiptarë, zgjodhi një nga projekt-idetë e paraqitura nga studioja arkitekturore “Focus Architecture” që kishte fituar tenderin e zhvilluar nga FSHF në bashkëpunim me Bashkinë Kavajë.
Projekti parashikon ngritjen e një stadiumi modern të kategorisë 4 sipas standardeve të UEFA-s, me një kapacitet prej 8 mijë vendesh dhe të përshtatshëm për zhvillimin e ndeshjeve të çdo kategorie.
Në një prononcim, zv.presidenti i FSHF-së, Arben Dervishaj shprehet se rindërtimi i stadiumit të ri të Besës do të jetë një bashkëpunim mes FSHF dhe Bashkisë së Kavajës. Ai nënvizon se ky stadium nuk do të ketë vetëm funksione sportive, por edhe funksione për qytetin.
“Zhvilluam një mbledhje lidhur me aprovimin e projekt-ideve për ndërtimin e stadiumit të qytetit të Kavajës. Dihet që stadiumi i qytetit të Kavajës ishte i dëmtuar nga tërmeti dhe si rrjedhojë është shkatërruar plotësisht. Kemi vendosur që në bashkëpunim me Bashkinë e Kavajës të rindërtojmë stadiumin e qytetit, duke i dhënë qytetit një stadium të kategorisë 4, sipas përcaktimeve të UEFA-s. Kapaciteti i këtij stadiumi do të jetë 8 mijë spektatorë dhe do të presë ndeshje të çdo lloj kategorie, me përjashtim të finaleve që kërkojnë një kapacitet më të madh'', tha zv.presidenti i FSHF-së.
Komente
